Si shkas për këtë shkrim është humbja e Shkëndijës të enjten në Shkup. Menjëherë në fillim dëshiroj ta bëj të qartë se ky shkrim nuk ka të bëje as me lojtarët, as me trajnerin e as me kualitetin e lojës së treguar.

Ata të gjithë ishin të shkëlqyer, luajtën shumë mirë, trajneri dhe lojtarët treguan se kanë kapacitet dhe e duan klubin. Rezultati dëshpëron, por kështu e ka futbolli, nuk fiton gjithmonë ai që luan më mirë.

Ky shkrim ka të bëj me njerëzit dhe kompaninë që e udhëheqin klubin – Ekologun. Ata janë jo-kompetent dhe kam përshtypjen se nuk kanë asnjë ndjenjë për klubin, për futbollin dhe për sportin në përgjithësi. Si duket sistemi i vlerave të tyre është nga një botë tjetër, ku nuk ka sport ose kulturë, nga një botë ku nuk ekzistojnë vlera jo-materiale. Ndoshta sepse ata njohin profitin dhe PR (public relations). Dhe sikur shqiptarët në Maqedoni, Tetova si qytet dhe i gjithë shteti ku jetojmë të ishte në një stad tjetër të zhvillimit, dëshira për profit do të ishte e kuptueshme dhe normale. Por, edhe në vendet e zhvilluara profiti vjen pasi ke investuar, ke dhënë mund, je përpjekur.

Por të udhëhequr vetëm nga dëshira për profit dhe PR nuk mund të forcohet dhe përkrahet Shkëndija. Shkëndija ka nevojë për përkrahje të mirëfilltë e jo për çallam. Nuk e mohoj e as e nënvlerësoj përkrahjen financiare, pa pare nuk bëhet asgjë, po ne presim më shumë. Presim, sepse vepra e sponsorit shitet si vepër patriotike, si vepër bamirësie dhe dashamirësie për klubin dhe Tetovën.

Ekologu nuk e ndihmon Shkëndijën. E ka ndihmuar në fillim, por jo më. Kjo duhet të thuhet qartë dhe zëshëm, edhe pse shumë qytetarë e respektojnë firmën që e sponsorizon Shkëndijën, shumica nga interesi e dikush ndoshta sepse e përkrahën klubin në një moment të vështirë, por megjithatë duhet të thuhet qartë se nga kjo “përkrahje” sot më shumë përfiton sponsori dhe shumë pak ose aspak klubi.

Vetëm për këtë sezon klubi nga UEFA do të marr së paku 1 milionë e shtatëqind mijë EURO. Ja edhe me numra 1,700,000 EUR (më tepër detaje këtu: https://www.football-coefficient.eu/money/ ). Me këtë shumë të parash, Shkëndija i mbulon tërësisht harxhimet e veta edhe atë duke siguruar rroga të mira për të gjithë e sidomos për futbollistët. Pra nevojitet vetëm menaxhim i mirë. Menaxhim i mirë nënkupton kujdes dhe respekt për futbollistët, përforcime, kushte për trajnim dhe lojë (stadium) si dhe shkollë futbolli. Ky është minimumi. Për më tepër do të shkruajmë herën e ardhshme. E tani pyetni çfarë bën sponsori për Shkëndijën? A keni pyetur? Çfarë harxhimesh mbulon? Çfarë dhe si ndihmon? Kush udhëheq me klubin? Kush sjell vendime? Kush sjell vendime? (me qëllim e shkruaj dy herë).

Ekspertët kush janë? Kush vendos se një lojtar a do të mbetet apo do të largohet? Sa do të paguhen? Sa i nevojiten klubit? Ju që e lexoni, pyeteni veten e pastaj pyetni të tjerët. Unë shkurt do të them – është e turpshme. Do e kuptoni se sa e turpshme është kur do e merrni vesh se kush vendos për fatin e Shkëndijës dhe fatin e futbollistëve. Ja përgjigja: Tigra. Po, po, tigra, ata bishat e rrezikshme të xhunglës. Kështu e quajnë veten ata që vendosin për Shkëndijën. Tigra. Keni dëgjuar për tigra që e kuptojnë lojën dhe biznesin e futbollit? Paska dhe të tillë. Nga tigrat ikin profesionistët.

Dashuria ndaj klubit, dhe dëshira për ta përkrahur dhe ndihmuar tregohet edhe me atë që menaxhimin e klubit do ua lësh njerëzve që kanë dijeni, përvojë dhe kapacitetet e nevojshme për këtë. Prandaj, sponsori po që se vërtetë e do klubin dhe dëshiron ta përkrahe, duhet të largohet nga menaxhimi i klubit ose të përfaqësohet në minimum, Shkëndijën duhet ta udhëheqin profesionistë. Nëse investojnë para, le të kërkojnë llogari në fund, le të kërkojnë rezultate, le të kërkojnë profit, por së pari duhet klubi të profesionalizohet.

Kjo nuk bëhet me amatorë dhe me tigra çallamxhi në menaxhment, por me profesionist. Profesionist ka, dhe të tillë ka pat edhe Shkëndija, por profesionistët duhet mbajtur, nuk duhen larguar, ndërsa pikërisht këtë gabim e ka bë menaxhmenti i klubit deri tani, nëse dikush vlen ata e kanë larguar, duke nisur nga futbollistët e deri te ekspertë për gjetje të futbollistëve të talentuar dhe për shkolla futbolli. I kanë larguar sepse nuk e kuptojnë sportin, nuk e kuptojnë futbollin dhe nuk e respektojnë dijen. Prandaj, edhe një herë në fund theksoj, nuk e nënvlerësoj atë që është bë deri tani, e sidomos përkrahjen në moment kyç, por 1) nuk duhet Shkëndija të mbetet peng i ndihmës në të kaluarën e as peng i amatorëve dhe 2) më pak çallam e më shumë punë e profesionalizëm. Nëse nijetin e kanë të mirë, sponsori “patriot” nuk do ta ketë vështirë, në të kundërtën do të pësoje klubi e do të dëshpërohen fansat.