Hiqet tërësisht postamenti i likuiduesit të VMRO-së, Andon Qose (Foto)

Është hequr tërësisht postamenti i përmendores të personalitet kontrovers historik, apo i njohur si likuidues i VMRO-së, Andon Qose, i cili ishte i vendosur pranë Gjykatës Themelore.

Busti i Andon Qoses është larguar prej përpara një muaji dhe është dërguar në depot e Fabrikës së Metalit Tito. Largimi i këtij busti është bërë me urdhër të Qytetit të Shkupit, pasi që sipas saj, është vendosur pa leje.

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, njoftoi se në vendin ku ka qenë e vendosur përmendorja do të mbjellë drurin e të drejtave të njeriut, ku do të vendoset pllaka e gravuar të cilën do ta marrin nga qyteti i binjakëzuar i Nyrnbergut ku do të shkruhet neni 10 i Deklaratës Universale të KB-së për të drejta të njeriut.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE-ja opozitare ka dënuar aktin e largimit të përmendores së Qoses para gjykatës në Shkup. Në reagimin e partisë së Mickoskit thuhej se Qeveria e LSDM-së ngjason me talebanët në Afganistan dhe ISIS-in në Irak dhe Siri të cilët shkatërrojnë përmendore nga historia e Maqedonisë. Ai ka thënë po ashtu se, një ditë ajo përmendore do të vendoset në vendin ku i takon dhe se këta njerëz do të turpërohen me veprimet që po bëjnë sot.

Në ndërkohë, pas largimit të bustit të Qoses, në listën për dislokim, në radhë janë bustet e “Aleksandërit të Madh” në sheshin Maqedonia, portën “Maqedonia” dhe bustin e “Nënë Terezës”, ndërtimi i së cilës tanimë është ndaluar, si dhe busti i “Filipit të Dytë”. Në ekspertizë është edhe busti në sheshin VMRO, por edhe fasadat në qendrën e Shkupit.

Komisioni i shqyrton edhe procedurat për vendosjen e mbi 30 skulpturave, të cilët i kanë paraprirë projektit, ndërkaq janë vendosur në vitet 2008-2010.

SHPËRNDAJE