Nga muaji i ardhshëm qytetarët lirohen nga pagesa e taksës radiodifuzive, paga minimale do të jetë 12.000 denarë, ndërsa mbi 3.000 punëtorë të falimentuar do të marrin kompensim financiar prej 7.596 denarë, informuan në konferencën e sotme për shtyp ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

“Paga minimale nga muaji i ardhshëm do të arrijë 12.000 denarë, ndërsa firmat do të mbështeten financiarisht nga shtetit. Beneficionin nga rritja e pagave do ta ndjejnë 130 mijë punëtorë në Maqedoni. Ky është hapi i parë konkret me të cilin hapet spiralja për rritjen e përgjithshme të pagave në Maqedoni që do të kontribuojë për standard më cilësor të jetës. E premtuam dhe e realizuam fjalën e dhënë para qytetarëve. Më shumë para nga Buxheti orientohen ndaj nevojave të qytetarëve”, deklaroi Carovska. 

Ajo theksoi se sot në Kuvend u soll edhe Ligji për punëtorët e falimentuar, me të cilin përgjithmonë zgjidhet statusi i më shumë se 3.000 punëtorëve të falimentuar. 
“Me punë të organizuar dhe të përgjegjshme të Qeverisë, përmes ribalancit të Buxhetit shkurtohet nga komoditeti i pushtetit dhe shpenzimet joproduktive të Qeverisë dhe shumë mjete orientohen për zgjidhjen e problemit të më shumë se 3.000 të falimentuarve në Maqedoni. Kompensimin mujor financiar që do ta marrin të falimentuarit do të jetë rreth 7.596 denarë. Fjala është fjalë dhe nga muaji i ardhshëm fillon pagesa e ndihmës financiare për punëtorët e falimentuar”, deklaroi Carovska. 
Ministri Mançevski theksoi se me heqjen e taksës radiodifuzive Qeveria ka treguar si punohet në interes dhe në shërbim të qytetarëve. 
“Nga muaji i ardhshëm, qytetarët lirohen nga pagesa e kësaj tarife. Radiotelevizioni i Maqedonisë, Radiodifuzioni i Maqedonisë dhe Agjencia për shërbime mediale audio dhe audiovizuele nga muaji i ardhshëm do të financohen drejtpërdrejtë me para nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë. Premtimet e dhëna ndaj qytetarëve po realizohen. Fjala është fjalë. Shumë para nga Buxheti i dedikojmë për nevojat e qytetarëve, ndërsa në të njëjtën kohë i ulim shpenzimet për jetesë”, deklaroi Mançevski. 
I pyetur çka do të bëhet me qytetarët të cilët tani më kanë paguar për taksën radiodifuzive, Mançevski tha se për fat të keq nuk ekziston asnjë mundësi dhe bazë ligjore të lirohen në mënyrë retroaktive nga këto obligime.