Uragani Irma arriti të dielën në mëngjes sipas kohës lokale në bregun perëndimor të Floridas, apo në arkipelagun Florida Keys, pasi u rrit në kategorinë e fuqishme të shkallës së katërt, raporton Anadolu Agency (AA).

E ndjekur me erëra me shpejtësi prej 215 kilometra në orë, uragani Irma ka mbërritur në Florida, kurse sipas parashikimeve të Qendrës Kombëtare amerikane për Uragane, ky mund të jetë më i fuqishmi në historinë e kësaj pjese të SHBA-së.

Dje, në Florida dhe në shtetet federale fqinje është kryer evakuim masiv i popullsisë.

Më shumë se 430 mijë shtëpi dhe biznese në Florida mbetën pa energji elektrike, kurse uragani Irma ka sjellë erëra dhe shira të dendur.

Dhjetëra mijëra banorë të këtij gadishulli janë strehuar nga stuhia, ndërsa më shumë se 6.3 milionë banorë të Floridas u urdhëruan të largohen nga shtëpitë e tyre.