Avokati i Grupit të Kumanovës, Naser Raufi, pretendon se në Konfliktin e Kumanovës të vitit 2015, luftime ka pasur vetëm më 9 maj, e jo edhe më 10 maj, shkruan Gazeta Lajm. Me këtë qëndrim ai është paraqitur në seancën e radhës që është zhvilluar sot kundër Grupit të Kumanovës.

“Personalisht si avokat mendoj se nuk ka pasur luftime më 10 maj. Kjo është punë e inskenuar nga shërbimet. Luftimet kanë mbaruar natën e 9 majit dhe më nuk ka pasur. Jam i bindur se shërbimet sekrete e kanë bërë dhe e kanë montuar këtë skenar”, thotë Raufi, shkruan Gazeta Lajm.

Ai tha se këtë qëndrim e mbështet edhe në bazë të deklaratave kontradiktore të dëshmitarëve të koduar. Raufi poashtu mohoi se ndonjëri prej pjesëtarëve të grupit ka luftuar për interes material.

Raufi shtoi se në procesin gjyqësor pa arsye po fshehet një pjesë kyçe e bisedës telefonike të Mirsad Ndrecajt-Komandant Natos, e që mund të jetë dëshmi kruciale nëse ata janë dorëzuar ose janë vrarë në luftime.

“Është momenti kur dorëzohet grupi i dytë, grup që sipas deklaratave të dëshmitarëve të koduar nuk janë dorëzuar. Kjo bisedë është ndërprerë pa arsye, se gjoja është nën masa të veçanta të hetimit. Mirëpo me këtë humbim mundësinë të konstatojmë se a është dorëzuar edhe grupi i dytë, apo janë likuiduar”, theksoi Raufi.

Këto nuk janë dyshimet e vetme të avokatit të Grupit të Kumanovës lidhur me versionin zyrtar për konfliktin e Kumanovës. Ai hedh dyshime edhe mbi rezultatet e obduksionit të pjesëtarëve të vrarë të grupit.

“Ekziston metodë shkencore e cila me saktësi mund të vërtetojë se prej çfarë distance është vrarë ndonjë person. Është tepër e dyshimtë se pse kjo metodë nuk është përdorë në këtë rast. Kjo mund të ketë lidhje me atë që e thash se mund të ketë pasur likuidime të pjesëtarëve të grupit pasi janë dorëzuar”, thotë Raufi, duke forcuar dyshimet se disa pjesëtarë të grupit mund të jenë likuiduar pasi janë dorëzuar.