Sot në hapësirat e rektoratit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u mbajt ceremonia e fillimit të vitit të ri akademik 2017/18.

Në këtë ceremoni, studentëve dhe stafit akademik, iu drejtua rektori i universitetit, Azis Pollozhani duke i uruar studentët për një fillim të mbarë.

“Sikurse çdo fillim që sfidon status quot e etabluara, bëhet shkak i debateve të ndryshme, ne bashkë me studentet tanë, me Ju dashamirë dhe bartës të ndjenjës se vërtetë të dhimbjes dhe krenarisë që përshkoi arsimi ynë ndër dekada, ia dolëm qe të bëjmë hapin e radhës. Jemi sot këtu për të mirëpritur e përgëzuar fillimin e ri të gjeneratës së dytë të UNT-së”, ka potencuar Pollozhani.

Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen e qeverisë për konsolidimin e universitetit dhe sigurimin e hapësirave të nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani i cili ishte i pranishëm, e konfirmoi mbështetjen qeveritare për ndërtimin e kompleksit universitar.

Ai, siç njofton UNT, e konfirmoi vendimin e qeverisë për sigurimin e mbi shtatë milion eurove në buxhetin e vitit 2018 për ndërtimin e kompleksit universitar “Nënë Tereza”.

“Mjetet me vlerë të njëjtë do vazhdojnë edhe për dy vitet plotësuese, përkatësisht 2019 dhe 2020. Qeveria do të ofrojë përkujdesje të veçantë për UNT-në, si institucion i sapothemeluar i arsimit të lartë”, ka theksuar Osmani. Prezenca e tij, si shef i shtabit zgjedhor të BDI-së në komunën Çair, ka habitur shumë studentë të këtij universiteti. Disa prej tyre thonë për Gazetën Lajm se mendojnë që kjo prezencë reflekton qëllimin e politikës për të ndikuar në arsimin sipëror.

Përmes Gazetës Lajm ata i bëjnë apel OSBE-së, ambasadave të SHBA-së dhe BE-së, që të hetojnë prej së afërmi prapavijën e prezencës së Osmanit, i cili u shpall shef shtabi zgjedhor dhe premtoi se do të respektojë ndarjen e shtetit nga partia.

Ai studentëve ju uroi fillim të mbarë të studimeve dhe i inkurajoi ata që të arrijnë suksese sa më të larta në studime.

Njëherësh, para brucoshëve të ri, u përuruan edhe dy amfiteatro dhe pesë salla për ligjërata, me çka u siguruan hapësira moderne për zhvillimin e mësimit./GazetaLajm/