Në vjeshtën e këtij viti mund të ketë zhvillime të mëdha për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Kështu shkruajnë mediat serbe duke aluduar në atë se gjatë vjeshtës presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të takohet me liderët botërorë për të parë pikëpamjet e tyre për Kosovën, njofton Klan Kosova.

Vecernje Novosti shkruan se Vuçiq, do të udhëtojë gjatë vjeshtës për në Paris, ku do ta ketë mundësinë për t’u takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin amerikan, Donald Trump, i cili do të gjendet në Francë me 11 nëntor për të shënuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

“Vuçiq do të përdorë këtë mundësi për të shkëmbyer pikëpamjet për Kosovën me disa nga liderët më të lartë të botës dhe do të përpiqet të marrë mbështetjen e tyre për një zgjidhje kompromis për Kosovën”, shkruan Novosti.

Takimet në Paris përbëjnë kulimin e një ofensive diplomatike që ka filluar Vuçiq për çështjen e Kosovës.

Ai paraprakisht do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili do ta vizitojë Serbinë për të qenë pjesëmarrës në një paradë ushtarake që do të organizohet në Beograd.

Gjithashtu, në seancën e asamblesë së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, Vuçiq pritet të ketë takim me presidentin kinez Xi Jinping, njofton Klan Kosova.