Në 23 fakultetet në përbërje të Universitetit “Shën Kirili e Metodi” në Shkup sot dhe nesër janë datat zyrtare nga afati i parë i paraqitjes së kandidatëve për regjistrim në vitin e parë për vitin e ardhshëm akademik, ndonëse edhe deri tani ishte mundësuar dhe është në vijim aplikimi elektronik përmes sistemit për shërbime studentore iKnow https://www.iknow.ukim.edu.mk/

Sipas Konkursit të USHKM-së, për vitin akademik 2023/2024 të lira janë 10.475 vende, nga të cilat 5074 për studentë të rregullt të financuar nga buxheti shtetëror, 4439 për studentë të rregullt me bashkëfinancim të studimeve dhe 960 për studentë të çrregullt, ndërsa mund të regjistrohen edhe studentë të huaj për të cilët ka një numër të caktuar ose përqindje të numrit të përgjithshëm të studentëve që janë regjistruar në një program të caktuar studimor.

Me mbi një mijë vende të lira për disa programe studimore edhe këtë vit janë Fakulteti për Shkenca Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike/FINKI (1150), Fakulteti Matematiko-Natyror (1050) dhe Fakulteti Juridik (1055). Fakulteti i Filozofisë disponon me 915 vende të lira për brucoshë, Fakulteti i Filologjisë – 775, Fakulteti i Mjekësisë – 760. Fakulteti i Ekonomisë – 700, Fakulteti i Makinerisë – 600, Fakulteti për Teknologji Elektroteknike dhe Teknologji të Informacionit/FEIT – 570.

Në prag të regjistrimeve, prorektorja për mësimdhënie në Universitetin e Shkupit, prof. Dr. Hristina Spasevska tha se kandidatët këtë vit mund të zgjedhin 195 programe studimore në ciklin e parë të studimeve: programe të integruara pesëvjeçare, katërvjeçare, trevjeçare dhe profesionale.

“Këtë vit universiteti ynë ofron programe studimi të reja ose të riakredituara, të njohura ndërkombëtarisht dhe të përafruara me programet e studimit të universiteteve evropiane, të cilat mundësojnë lëvizshmëri më të madhe të studentëve të ardhshëm dhe janë në përputhje me nevojat e tregut të punës. Prandaj, presim që numri i kandidatëve të rritet në programet studimore që janë me interes për ekonominë e Maqedonisë dhe sektorin publik. Pas numrit të kandidatëve të regjistruar tashmë, duke marrë parasysh trendet demografike në vend, si dhe numrin e maturantëve që duan të studiojnë jashtë, interesi duhet të mbetet të paktën i njëjtë me vitin e kaluar akademik”, theksoi prof. Spasevska për MIA.

Pas aplikimit për pranim, më 4 shtator do të publikohet renditja paraprake e rezultateve të suksesit të kandidatëve nga shkollat e mesme. Në fakultetet ku përveç suksesit të shkollës së mesme ka edhe provim pranues, testimi i njohurive dhe aftësive është më 1 shtator dhe lista paraprake me rezultatet do të publikohet më 6 shtator. Ranglista përfundimtare e pranimeve në të gjitha fakultetet do të publikohet më datë 11, ndërsa më 12 dhe 13 shtator bëhet regjistrimi i kandidatëve të cilët nga 1 tetori do të jenë studentë të USHCM-së.

Afati i dytë për regjistrim në Universitetin e Shkupit është më 18 dhe 19 shtator, ndërsa i treti, ku do të mbesin vende të lira, do të jetë më 28 shtator 2023.