Nga  Lirim BEGZATI

1. Ashtu si shumë maqedonas, edhe shumë shqiptarë, sidomos përmes manifestimit të votës së tyre të shpërndarë dhe deri diku të ekuilibruar, dhanë një sinjal nevoje për ndryshime dhe për largim nga një politikë e dështuar. Edhe pse prekim një element të ndjeshëm të demokracisë, prapëseprapë, njëfarë ndërgjegje n’a shtynë me thënë se vota për ndryshime, në disa kontekste, ka më tepër peshë se sa vota e atyre që votuan vetëm për t’i ruajtur pozitat e tyre të privilegjuara në kuadër të një sistemi qeverisës të padrejtë dhe disfunksionues ;

2. Numri shumicë i votave të fituara nga VMRO nuk është aq bindës si i tillë për t’ia dhënë asaj legjitimitetin automatik qeverisës. Në realitetin e ri të krijuar, aspekti kuantitativ i votave duhet të vëhet në balancë me shumë faktorë tjerë, siç janë diversiteti i votës, dalja në skenë e partive të reja, fenomeni i shpërndarjes së votës, etj. Këto aspekte natyrisht se e zbehin rolin e ashtuquajtur dominues të VMRO;

3. Edhe strategjitë taktike që do t’i propozonte VMRO, duke u munduar të nxjerrë në skenë personalitete të tjerë të cilët duket se nuk janë të involvuar në afera inkriminuese, nuk është një opcion bindës dhe i besueshëm, për shkak se politika e dirigjuesve historik të saj do të mbetet, sipas të gjitha gjasave, ajo e cila ka me diktuar shumë punë të mëtutjeshme ;

4. Disa nga veprimet e udhëheqësve të kësaj partie, në diskursin e tyre politik, nuk tregojnë aspak ndonjë shenjë ndryshimesh madhore. Përveç kësaj, VMRO vazhdon të tregohet besnike ndaj rrugës së supremacisë autoritare, ku dominon politika e fuqizimit të mëtutjeshëm të një shteti të centralizuar, i definuar parasegjithash si një nacional, duke mos treguar ndërkohë ndonjë vullnet të qartë politik për ndërtimin e një shteti konformë standardeve moderne dhe të vlefshme për nevojat e funksionimit të një shteti multietinik ;

5. Seria e shkeljeve të rënda ligjore, aferat korruptive, dështimet në reformat ekonomike, dosjet e hapura pranë Prokurorisë speciale, stagnimi i proceseve të tjera zhvëllimore, mospërfillja e parimeve të shtetit të së drejtës, i japin logjikisht edhe një grusht tjetër besueshmërisë dhe legjitimitetit të mëtutjeshëm qeverisës të saj;

6. Nuk duhet mohuar faktin se VMRO është parti që mbanë një rolë të padiskutueshëm në skenën politike maqedonase. Megjithatë, kapaciteti i saj i realtë në ditën e sotme, më tepër identifikohet në numrin e votave të fituara se sa në rezultatat e arritura gjatë qeverisjes së saj. Pra, kjo parti duket se sot ka më tepër nevojë për konsolidimin dhe ripërtrirjen e rradhëve të saja se sa të vazhdojë të marrë përgjegjësi të mëtutjeshme madhore qeveritare ;

7. Altrenativat tjera qeverisëse që ofrohen, megjithë vështirësitë për ndonjë vlerësim bindës paraprak, duken më shpresëdhënëse se sa ajo çka ofron VMRO. Në këtë drejtim, dhe marrë parasysh situatën e krijuar, dilemat dhe skepticizmi ndaj variantave tjera të mundshme nuk do të duhej të zënë një vend të tepruar në kuadër të reflektimeve të ndryshme!

8. Nëse bëhen paralelizma në mes të objektivave të platformës së partive shqiptare dhe të asaj çka ofron ose që do të kishte ofruar VMRO, nuk është e besueshme se kjo e fundit është e gatshme t’i përmbushi as për së afërmi kërkesat që dalin nga platforma, si dokument ky i një sërë kërkesash legjitime;

9. Pasi që vota shqiptare përjetoi njëfarë shpërndarje, kjo kërkon që, për ruajtjen e një kohezioni mbrenda elektoratit shqiptar, reflektimet për formimin e qeverisë, do të duhej të synojnë që t’i afrohemi, aq sa është e mundshme, elektoratit të tillë gjithpërfshirës, sidomos kur dihet se një pjesë e saj shtrihet edhe në një parti tjetër të madhe maqedonase, por jo në VMRO;

10. Perspektivat evropiane të Maqedonisë kërkojnë angazhime më serioze, e jo ruajtjen e njëfarë status quo-së. Avancime konkrete kërkohen në fusha të shumta, qofshin ato politike, ekonomike, juridike, etj. Bilanci i qeversië së deritanishme tregon dështimet e njëpasnjëshme dhe rezultate jo aq inkurajuese;

11. Interesat aq të përfolura strategjike, gjeopolitike etj, të disa vendeve dhe fuqive të huaja, natyrisht se duhet të mbajnë peshën e tyre në kontekstet e krijuara në Maqedoni dhe Ballkan. Por, nuk duket i besueshëm fakti se interesi i aleatëve të ndryshëm do të ishte që VMRO të vazhdojë të mbajë timonin e qeverisë. Interesi i atyre që i’a duanë me të vertetë mirëqenien dhe prosperitetin këtij shteti, preferojnë largimin e vendit nga disa nomenklatura aktuale politike dhe të krijohet kështu hapësira për fillimin e procesve të tjera të reja, tashmë aq të pritura nga të gjithë! Kurse tjetër është çështja e disa aleatëve « të dyshymtë » të cilët Maqedoninë e vërjenë vetëm si një instrument për realizimin e interesave të tyre të ngushta, e asgjë tjetër.