Sot është dita kur duhej të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për datën e sotme jo vetëm të vendosur, por edhe të bindur ishin dy partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, ndërsa data kishte marrë edhe aminin e PDSH-së opozitare. Kundër ishte vetëm LSDM-ja dhe partitë shqiptare jashtë parlamentare. Televizioni SHENJA sjell deklaratat e dy patnerëve të koalicionit, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti. Kryeministri i asaj kohe, Nikolla Gruevski, ishte i bindur se më 24 prill qytetarët do ti nxjerrin me shqelma nga Qeveria ministrat teknik të emëruar nga LSDM dhe do ta dënojnë rëndë opozitën aktuale.

“Në prill, populli i Maqedonisë do ta kthejë pushtetin e marrë pjesërisht dhe përmes votimit masiv në zgjedhje do ti përzë me shqelma funksionarët e mbjellur artificialisht dhe me forcë dhe me këtë rast do të përcjellë katër mesazhe: se ky është vetëm vendi i tyre dhe vetëm ky popull vendos për fatin e vetë”, tha Nikolla Gruevski më 24 janar.

“LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe PDSH u dakorduan dhe bashkë votuan në Kuvend që më 24 prill të ketë zgjedhje. Sot të nderuar qytetarë me mburrje ju njoftoj se shteti ynë hapëron me vendosmëri ti jep fund krizës politike dhe të përparojmë guximshëm drejt ardhmërisë. Kjo fillon me zgjedhjet e 24 prillit. Qëndrimi i fuqishëm pas zgjedhjeve që u dakorduan nga të gjitha partitë në Përzhino është riafirmim i besimit tonë në demokraci”, tha Gruevski më 18 janar.

“Qëllimi jonë strategjik si parti ishte që të betonohet data e zgjedhjeve, LSDM kërkonte të shtyhet, ne këtë nuk e lejuam, insistuam të mbetet 24 prilli dhe arritëm në këtë, pra data e zgjedhjeve me ligjet që tani do ti propozojmë në Kuvend, më 24 prill 2016 do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni. Kështu që kjo është mirë, për ne kjo ishte më e rëndësishme se gjith[ka në bisedimet e sotme”, tha Gruevski më  nëntor të vitit 2015.

Partneri i Gruevskit në koalicionin qeveritarë, Ali Ahmeti ishte aq i bindur që zgjedhjet do të mbahen më 24 prill, saqë apelonte që as të mos mendohet për shtyrjen e tyre.

“Ne vlerësojmë se çdo tendencë për të lënduar marrëveshjen e 2 Qershorit të arritur mes katër forcave politike, BE-së dhe SHBA-së është shkatërrim, minim i Marrëveshjes së 2 Qershorit. Prandaj zgjedhjet e 24 prillit assesi, jo vetëm të shtyhen, por edhe nuk duhet të mendohen që ato të shtyhen, sepse shtyerja e zgjedhjeve të 24 prillit do të thotë të vazhdosh t’i hedhin zjarrit benzin”, tha Ali Ahmeti më 27 janar.

Ahmeti nuk i merrte seriozisht kushtëzimet e opozitës, andaj në fillim të këtij viti u shpreh i bindur se edhe opozita do të bindet në qëndrimin e tij dhe partnerit të tij qeverisës.

“Kjo datë është vendosur në Qershor, korrik të vitit që lam pas dhe ne kemi insistuar që kjo marrëveshje të mos cenohet, kjo marrëveshje të respektohet prej gjitha palëve nënshkruese dhe akoma mendojmë që ka hapsirë, ka vend që të gjitha palët që mendojnë që nuk është datë e qëlluar të reflektojnë dhe të respektojnë marrëveshjen e arritur dhe të dakorduar mes katër partive politike dhe faktorit ndërkombëtarë”, tha Ahmeti më 16 janar.

Një arsye të fuqishme që shpalosi kreu i BDI-së, pro zgjedhjeve të 24 prillit dhe kundër kërkesës së opozitës për shtyerjen e tyre ishte edhe muaji i Ramazanit.

“Sigurisht që ne nuk mund të pranojmë një datë sepse pjesa dërmuese e elektoratit tonë dhe ne vetë, BDI i përkasim një komuniteti që respektojmë agjërimin. Kështu që argumentet tona ne i kemi paraqitur në rrugë shumë të arsyeshme se përse zgjedhjet duhet të bëhen më 24 prill dhe datë e dakorduar nga të gjitha palët dhe e arsyetuar”, tha Ahmeti më 30 janar.

Pasi opozita nuk u bind dhe nuk filloi të reflektojë, Ahmeti filloi edhe të kërcënojë me veto nëse nuk respektohet vendimi i tij që në zgjedhje të shkohet më 24 prill.

“24 prilli, nëse dikush ka të drejtë ta kontestojë dhe ta ndryshojë apo të ndodhë veto, përse atëherë BDI-së ti mohohet e drejta e vetos? Dhe ne nuk pajtohemi të ndryshohet 24 prilli sepse duam që marrëveshja të funksionojë, sepse duam që të instalohet një kulturë e respektimit të atyre konventave që nënshkruhen dhe dakordohen prej palëve që negociojnë”, tha Ahmeti më 6 shkurt.

Por pas një kohe Ahmeti hoqi dorë nga vetoja dhe reflektoi, duke pranuar të shtyhen zgjedhjet për më 5 Qershorë, datë kjo të cilën e kishin dakorduar dhe e votuan në Kuvend vetëm me partnerin e koalicionit, VMRO-DPMNE. Edhe për këtë datë e cila përsëri kontestohet ashtu si 24 prilli, si nga opozita edhe nga faktori ndërkombëtarë, Ahmeti shprehet i bindur se nuk do të lëviz. Ndërkaq partneri i tij Nikolla Gruevski, gjatë shtyerjes së 24 prillit pati deklaruar se ka mar premtim nga kreu i BDI-së se më 5 Qershor do të shkojë në zgjedhje me ose pa opozitën./shenja