Me rastin e tre vjetorit të ngjarjes së ndodhur në Lagjen e Trimave, në Kumanovë u mbajt një panel diskutimi i organizuar nga shoqata “Civil”. Kryetari i kësaj shoqate, Xhabir Deralla tha se kjo datë është një kujtim i traumave, siç e quajti, të një “lufte të vogël”, e cila u zhvillua në një periudhë të shkurtër kohore prej 48 orësh. Ai theksoi se ishte një konflikt, që e përjetuan me tragjedi qytetarët e Kumanovës, dhe pas tri vjetësh mburret që shoqëria shumë-etnike e këtij qyteti nuk ra pre e provokimit, siç tha Deralla, për të nxitur një luftë civile.

“Duam të theksojmë se kumanovarët treguan një pjekuri të lartë, shembull i cili mund të shërbejë për të gjithë Evropën e jo vetëm për Maqedoninë. Qytetarët nuk ranë në provokim të përfshihen në konfliktin e përgjakshëm me bashkë qytetarët e tyre të etniteteve dhe religjioneve tjera. Ata u distancuan nga ky sulm i ashpër kundër shoqërisë multi-kulturore të Kumanovës”, tha Xhabir Deralla, drejtor i shoqatës “Civil”.

Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski, tha se gjithmonë do të mundohem që kumanovarët të kuptojnë se kush e njollosi qytetin tonë, në periudhën 9-10 maj, tri vjet më parë, kur në Kontinentin e vjetër festohej Dita e Evropës, në Rusi shënohej dita kundër regjimit fashist, kurse në Kumanovë zhvillohej një konflikt i armatosur.

“Thjeshtë, përgjegjësinë duhet ta marrin bartësit e atëhershëm të pozitave udhëheqëse nga repartet e sigurisë se shtetit, që kanë drejtuar aksionin policorë dhe përfundimisht të nxirret në pah çdo fakt për kët ngjarje. Vlerësoj se si unë, ashtu edhe të gjithë qytetarët e Kumanovës, kërkojnë përgjigje për këtë pyetje”, tha Maksim Dimitrievski, kryetar i komunës së Kumanovës.

I pari i Kumanovës, tha se që nga ajo ditë ka kërkuar që të zbulohen, siç i quajti, skenaristët dhe regjisorët e këtij konflikti të armatosur. Sipas tij, deri më tani janë dënuar vetëm ata që u zunë në vendngjarje.

Ndryshe, më 2 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale dënoi me 746 vjet burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës. 7 dënime me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet. Në mungesë të dëshmive, katër persona u liruan nga të gjitha akuzat. Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve tragjike në Lagjen e Trimave. Në luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë u vranë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

https://youtu.be/Vg1N6UJf-9I