Zjarri në malet e Kostin Doll-it në Koçani është lokalizuar pjesërisht, por ende nuk është vënë nën kontroll. Autoritetet dhe banorët janë ende në terren duke tentuar që të parandalojnë shpërndarjen e flakëve në drejtim të fshatit Cera.

Kushtet atmosferike dhe terreni i papërshtatshëm ka vështirësuar punën, ndërkaq dy herë janë angazhuar helikopterët e Armatës. Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza Stojanpe Angellov njoftoi se për momentin në vend janë aktiv nëntë zjarre.

Zjarri që shpërtheu dje pasdite në zonën kufitare mes lokalitetit Milci dhe pikës kufitare “Bogorodica” u lokalizua dhe u vu nën kontroll nga zjarrfikësit nga Gjevgjelia dhe punonjësit e NP “Komunalec”, të cilët me ndihmën e helikopterëve ushtarakë arritën të zbusin flakët dhe shpëtojnë nga rreziku më i madh objektet drejt pikës kufitare “Bogorodica”.

Pika kufitare “Bogorodica” është hapur sërish për trafik pas orës 20:00 të ditës së djeshme, kurse paraprakisht automjetet janë ridrejtuar në pikën kufitare “Dojran”. Sipas QMK, zjarri dogji 20 hektarë bar të thatë dhe pyll me pisha.

“Për momentin janë aktive nëntë zjarre, ndërsa gjendja është më serioze në Komunën e Nagoriçanit, rreth fshatit Drenak. Gjendja po ndryshon nga ora në orë, por ne i kemi angazhuar të gjitha resurset e disponueshme, dhe besoj se nëse paraqiten të reja, gjatë ditës së sotme do të vendosim kontroll të plotë ndaj të gjitha zjarreve.

Situata e dytë më serioze është rreth Pehçevës, ku gjithashtu sot në mëngjes vepronte helikopteri i Armatës, i cili u tërhoq për mbushje me karburant dhe i njëjti sërish do të kthehet për të vepruar, të vazhdojë me shuarjen e zjarrit rreth atij fshati”.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojanpe Angellov theksoi se po intervenohet me helikopterë nga Serbia, së bashku me një helikopter tonin nga Armata. Angellov pret së shpejti ai zjarr të vihet nën kontroll. Zjarre të tjera aktive në këtë moment ka në Vallandovë, në lokalitetin Pogana, i cili gjithashtu përfshiu sipërfaqe të madhe me drunj të shkurtër.

Më pas, në fshatin e Kumanovës Konjuv, rreth fshatit Murashav në Kratovë, zjarr ka edhe në Prilep, më saktë në Pletvar, dhe një zjarr në Dellçevë. Gjithashtu, edhe zjarri në Koçan që është aktiv tashmë ditën e tretë, por siç theksoi Angellov, atje është nisur potencial I madh njerëzor dhe kanë kontroll ndaj tij.