Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, siç është paralajmëruar, sot do ta fillojë vizitën e tij në Maqedoni, tre javë para referendumit të paralajmëruar për emrin e vendit dhe anëtarësimit në NATO, transmeton Portalb.mk.

Të premten për vizitë zyrtare në Shkup do të vijë kancelari austriak, Sebastian Kurc, ndërsa një ditë më pas, në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë, në Shkup për vizitë zyrtare do të vijë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Të gjitha këto vizita bëhen nën kontekstin e referendumit të ardhshëm në vendin fqinj, që do të zhvillohet më 30 shtator, në të cilin do të vendoset miratimi me votë popullore ose jo i marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të NATO-s, Stoltenberg do të takohet në Shkup me presidentin Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, zv.kryeministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të vizitojë edhe fshatin Stajkovci, aty ku në vitin 2016, ushtarë dhe mjete të misionit KFOR të NATO-s hapën rrugët nga mbetjet e shkaktuara si pasojë e përmbytjeve shkatërrimtare.

Konferenca e përbashkët mes Stoltenbergut dhe kryeministrit Zaev pritet të mbahet në orën 14:30.