Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Artan Grubi thotë se miratimi i ndryshimeve kushtetuese që lidhen me ndryshimin e emrit, është me rëndësi kritike për të ardhmen e vendit. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Grubi shprehu shqetësimin për mundësinë e mosplotësimit të dy të tretave të nevojshme dhe tha se shumica e konsideron amnistinë për disa nga personat e përfshirë në ngjarjet e dhunshme të parlamentit si një mundësi nëse do të siguronte votat e mjaftueshme. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci këtu në Uashington, zoti Grubi kritikoi partitë opozitare shqiptare lidhur me kërkesat e përfshirjes së shqiptarëve në preambul dhe për çështjen e gjuhës:

Zëri i Amerikës: Si do të veprojë BDI-ja në lidhje me kërkesat për futjen e shqiptarëve si element kushtetues në Preambulë?

Artan Grubi: Mendoj se kjo çështje është një formë e folklorizmit të pavend nga ana e partive më të vogla parlamentare shqiptare, për arësye se shqiptarët janë pjesë e Preambulës së Kushtetutës. Shqiptarët janë pjesë e Kushtetutës dhe Preambula thotë se shqiptarët e Maqedonisë janë pjesë e kombit shqiptar që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Kërkesat e opozitës shqiptare janë oportune dhe vlerësoj se treni i çështjeve të mëdha të të drejtave etnike ka kaluar qysh në vitin 2001 me luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe këto janë përpjekje që nëpërmjet një dere të vogël të rikthehen në skenë me tema të mëdha që janë të harxhuara dhe të tejkaluara në një shoqëri të vitit 2018, e cila mendon për zhvillimin ekonomik, infrastrukturë, integrim e jo më për çështje të tilla, të cilat keqpërdoren nga këto parti politike në mënyrë që ta pengojnë procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe që ta faktorizojnë veten me tema të mëdha kombëtare për të cilat vulën tashmë e ka mbajtur zotëri Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, kritikët thonë se shqiptarët nuk kanë të njëjtën peshë në formulim në Kushtetutë ashtu si kombi maqedon.

Artan Grubi: Nuk është ashtu. Bëhet fjalë për formulimin e 20 përqindëshit për të drejtën e gjuhës. Kushtetuta në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit e përcakton të drejtën e përdorimit të gjuhës. Në nivel shtetëror, komuniteti i cili përbën më shumë se njëzet për qind, gjuha e tij është gjuhë zyrtare. I vetmi komunitet në nivel shtetëror që është mbi 20% të popullsisë është komuniteti shqiptar, prandaj e bën edhe gjuhën shqipe gjuhë zyrtare. Por, kur zbresim në nivel lokal, në komuna të caktuara ku komuniteti rom, turk, apo serb përbëjnë mbi 20%, gjuha e tyre është zyrtare.

Zëri i Amerikës: Por me këtë logjikë, në Tetovë, për shembull, nuk janë maqedonasit shumicë. Pse të mos jetë i njejti formulim, ka një lloj logjike kjo kërkesë e opozitës shqiptare?

Artan Grubi: Kushtetuta e Maqedonisë e përcakton si gjuhë zyrtare gjuhën maqedonase si dhe gjuhën të cilën e flasin mbi 20% në nivel qendror, ndërsa në nivel lokal janë gjuhët lokale të cilat fliten aty. Në komunën eTetovës janë dy gjuhë zyrtare, edhe gjuha shqipe edhe gjuha maqedonase. Kushtetuta në aspekt të rregullores është hapur vetëm për katër nenet e Kushtetutës dhe sipas rregullores së Kuvendit mund të ndërhyhet vetëm në ato katër nene dhe jo në nenet tjera. Janë nenet e kontestuara si emri i shtetit, preambula, çështja e diasporës që janë hapur për ndryshim.