Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon mënyrën e komunikimit publik dhe akuzat e bëra ndaj gazetës “Koha” nga Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH).

“Instituti ka botuar një artikull në ueb faqen e tyre dhe në profilet e rrjeteve sociale me titull “Gjuha antisemite e gazetës KOHA është e frikshme!”, në të cilin akuzohen gazetarë dhe redaktorë si dhe bashkëbiseduesit e tyre në tema të caktuara lidhur me artikuj që kanë të bëjnë me punën e Institutit. Artikulli, i cili më vonë u botua edhe nga disa media të tjera, akuzoi gazetën “Koha” se po punon për të prishur imazhin e institucionit publik, duke shtuar se “gazeta Koha do të bëhet një kontejner i reagimeve antisemitike”, theksohet në reagimin e SHGM-së.

Shoqata thekson se brengos fakti që në kohë të fundit drejtorët e institucioneve publike përdorin resurset e tyre për t’u llogaritur publikisht me media që vëzhgojnë në mënyrë kritike punën e tyre.

“Instituti për Trashëgiminë Kulturore Shpirtërore të Shqiptarëve si një institucion publik kombëtar duhet të japë një shembull se si të kultivohet një marrëdhënie profesionale me gazetarët dhe mediat dhe të mos përpiqet t’i diskreditojë ato që vet institucioni ka vendosur t’i konsiderojë si joetike. Prandaj, kërkojmë nga Drejtori Skender Asani t’i kërkojë falje publike gazetës “Koha” dhe në këtë mënyrë të tregojë se ai ka tolerancë ndaj kritikave publike”, thuhet në reagim.

Nëse edhe në të ardhmen drejtori Asani, shton SHGM, konsideron se ndonjë medium nuk ka raportuar në mënyrë etike për tema që ndikojnë në punën e Institutit, ai ka mundësinë të paraqesë një ankesë tek organet vetërregulluese të mediave ose të përdorë të drejtën e tij ligjore për të kërkuar korrigjim dhe mohim.

“Në të kundërtën do të lihet përshtypja se ai ka tendencë të bëjë presion në punën e mediave dhe kështu përpiqet t’i dekurajoj ato që të interesohen për punën e ITKSH-së”, theksohet në reagimin e SHGM-së.