Të dhënat e Bankë s Popullore tregojnë një trend në rritje të hyrjes në borxh për blerjen e banesave nga 52.959 milionë denarë në muajin mars të vitit 2020, në 59.229 milionë denarë në muajin shkurt të këtij viti. “Njerëzit sikur kanë filluar të mësohen të jetojnë me realitetin e ri, dhe vazhdojnë të zgjidhin problemet e tyre jetësore në varësi edhe prej mundësive të tyre”, thotë profesori Neritan Turkeshi
Përkundër krizës së shkaktuar nga pandemia, megjithatë nuk ka të ndalur rritja e kredive banesore. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë një trend në rritje të hyrjes në borxh për blerjen e banesave nga 52.959 milionë denarë në muajin mars të vitit 2020 në 59.229 milionë denarë në muajin shkurt të këtij viti. Apo me fjalë të tjera – është rritur huamarrja për banesa prej afër 850 milionë euro në afër 963 milionë euro. Rritje në këtë periudhë shënojnë edhe kreditë konsumatore nga 93.440 milionë denarë në 98.601 milionë denarë. Ekspertët ekonomik thonë se ekzistojnë më shumë shkaqe që edhe në kohë pandemie, jo që nuk ulen, por rriten kreditë e qytetarëve.

“Njerëzit sikur kanë filluar të mësohen të jetojnë me realitetin e ri, dhe vazhdojnë të zgjidhin problemet e tyre jetësore në varësi edhe prej mundësive të tyre. Pra jemi mësuar të jetojmë me konditat e reja, mirëpo jeta vazhdon dhe nuk ka të ndalur, andaj edhe duhet të rregullohet një çështje madhore siç është ajo e kulmit nën kokë”, shpjegon profesori universitar Neritan Turkeshi. Sipas tij, nuk duhet harruar se kohët e fundit – po ndryshohen edhe botëkuptimet e vjetra tek popullata, apo të rinjtë që kanë mundësinë edhe më të vogël – orientohen të pavarësohen dhe të jetojnë jetën e tyre të vetme, dhe çdo kush që ka dy paga të rregullta, por edhe ndonjë ndihmë nga familja – synon t’i gjejë qaren vetes dhe të bëhet me shtëpi.

“Pra, popullata është pajtuar edhe me këtë gjendje jo të rehatshme, nuk e dinë se kur ajo do të përfundojë, mirëpo shpresa dhe optimizmi për një jetë më të mirë nuk ndalet asnjëherë dhe njerëzit janë të prirur të rregullojnë problemet e tyre jetësore edhe me hyrjen në borxh për kredi konsumatore për riparimin e shtëpisë, blerjen e orendive, planifikimin e ahengjeve familjare e kështu me radhë”, vlerëson Turkeshi.

Sipas tij, ekzistojnë edhe raste kur njerëzit që kanë kursime, preferojnë që më mirë kapitalin e tyre ta sigurojnë përmes investimit në blerjen e një banese që nesër mund ta japin edhe me qira. “Njëherësh, kemi edhe konkurrencë më të madhe, oferta të shumta, si dhe një zbutje të caktuar të kushteve për kredi në raport me kushtet e disa viteve më parë, edhe pse kamatat për kreditë akoma nuk janë të vogla për standardin tonë. Megjithatë, qytetarët rezonojnë se më mirë të hyjmë edhe në borxh për kredi me kamata, sesa të paguajnë qira dhe faktikisht të gjuajmë në bunar të hollat, ndërsa me një shtrëngim prej 15 apo 20 vite, së paku nesër do të kemi pronën tonë”, shton më tej Turkeshi. Vitet e fundit, menaxherët e kompanive të mëdha ndërtimore, një pjesë të madhe të banesave ua shesin klientëve, të cilët financimin e sigurojnë nëpërmjet kredive bankare afatgjate. Njëherësh vlerësohet se kreditë banesore të popullatës janë më pak të rrezikshme për bankat në raport me kreditë e bizneseve, për shkak të hipotekave në pronë që shpesh janë të shprehura me dyfishin e vlerës së kreditit. Gjithashtu vlerësohet se edhe stabiliteti i sistemit bankier që mundëson të vazhdohet edhe më tej me kreditimin e popullatës. Bankat bëjnë kujdes me miratimin e kredive për klientët e sigurt dhe orientohen ndaj kredive me më pak rreziqe, andaj edhe sistemi bankier vendor renditet ndër ato që kanë më pak kredi me vështirësi të kthimit në rajon.

EDHE SHTETI NDIHMON BLERJEN E BANESËS

Edhe sivjet, qytetarët do mund të aplikojnë për subvencion të kredive banesore nga shteti përmes projektit “Blej shtëpi, blej banesë” të Ministrisë së Financave. Thirrja publike është shpallur në bazë të së cilës – qytetarët do të mund të parashtrojnë kërkesë deri më 31 dhjetori 2021 për subvencionin shtetëror të pjesëmarrjes ose këstit mujor për blerjen e banesës ose shtëpisë. Subvencioni aprovohet për kredi banesore deri në 50.000 euro, afati i shlyerjes të së cilit nuk është më i shkurtër se 20 vjet dhe mund të arrijë deri në 20.000 euro, sipas modelit të zgjedhur të subvencionimit dhe vlerës së kredisë. Varësisht modelit të zgjedhur, periudha e subvencionuar mund të jetë edhe deri në 11 vjet. Qytetarët mund të aplikojnë për gjashtë modele të ndryshme që ofrojnë përfitime të ndryshme, varësisht nëse ata duan të aplikojnë për subvencionim të këstit mujor të kredisë ose të pjesëmarrjes, në varësi të faktit nëse ata po aplikojnë për blerje të banesës apo shtëpisë dhe në pajtueshmëri me moshën e tyre.

Shkalla e kamatës për kredinë banesore përmes këtij projekti është gjithashtu mjaft e volitshme. Për modelet ku kësti subvencionohet për 3 vitet e para – është 2.9 për qind, ndërsa për vitin e katërt dhe të pestë – 3.9 për qind. Në modelet ku subvencionohet pjesëmarrja, norma e interesit është 4 për qind për të gjithë kohëzgjatjen e pagesës me Euribor 6 mujor plus. Përfitim shtesë që projekti ofron për përfituesit është se për çdo fëmijë të porsalindur ose të birësuar, do të marrin subvencion shtesë një vjeçar të këstit mujor në vlerë prej 30 për qind. Për projektin mund të aplikojnë persona që janë ose nuk janë të martuar, ata që nuk kanë banesë ose shtëpi në emrin e tyre ose në emër të çiftit bashkëshortor, të hyrat mujore nuk duhet të kalojnë 900 euro nëse nuk janë të martuar ose 1.300 euro në muaj nëse janë të martuar, çmimi i shitjes së ndërtesës së banimit duhet të jetë deri në 900 euro për metër katror dhe banesa dhe shtëpia që blihet apo që ndërtohet duhet të jenë ndërtim i ri, apo të blihet nga një investitor ose kontraktues. Gjithashtu, sipërfaqja banesore nuk duhet të tejkalojë 150 m2.

Vitin e kaluar, përmes këtij projekti, u aprovuan 278 kërkesa për kredi të subvencionuar banesore, nga të cilat 259 janë për blerje të banesës së re, ndërsa 19 për ndërtimin e shtëpisë. Gjithsej prej fillimit të projektit e deri më tani janë aprovuar 1693 kërkesa për blerjen e një banese ose shtëpie ose pothuajse 1700 qytetarë ose familje përmes këtij projekti kanë fituar shtëpinë e tyre. (koha.mk)