Taksa ekologjike do t’i rrisë çmimet e derivateve të naftës. Prej 1 korrikut do të shtrenjtësohen për 3.5 denarë, kurse Qeveria tashmë ka llogaritur se në Buxhet do të hyjnë një miliard e 685 milionë denarë për 6 muaj ose 3 miliardë e 300 mijë denarë për tërë vitin. Kryeministri Zoran Zaev tha se mjetet do të dedikohen për investim në burime të energjisë së ripërtëritshme. Vetëm dy ditë më parë, ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se ende nuk ka asnjë vendim qeveritar dhe se futja e taksës ekologjike do të shkojë përmes konsultimeve me palët e interesuara.

“Taksa ekologjike shkon 3.5 denarë për naftë me mesazh që të heqim dorë nga nafta dhe derivatet e naftës me qëllim që të reduktohet përdorimi i tyre dhe të fillojmë ta përdorim energjinë e gjelbër, përkatësisht më shpesh të udhëtojmë me biçikletë, me trotinet, gjithnjë e më shpesh të shfrytëzojmë automjete elektrike, sepse këtë e bën e gjithë bota. Përmes një takse të tillë ekologjike, mjetet do të shkojnë direkt në fondet për investim në burimet e ripërtëritshme të energjisë”, deklaroi kryeministri Zaev.