Zaev i tha “jo” premtimit kryesor të Kasamit, nuk ka grafë etnike në letërnjoftime

Ishte një ndër premtimet kryesore të Lëvizjes Besa dhe liderit të saj Bilall Kasami, shënimi i grafës entike në letërnjoftime. Madje ai disa herë kishte potencuar se ata në asnjë mënyrë nuk heqin dorë nga ky premtim dhe nga kjo marrëveshje koalicioni me LSDM-në, dhe se deri në fund do të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

“Aspak nuk kemi hequr dorë nga kjo çështje dhe as që është temë debati për tërheqje nga marrëveshja e koalicionit që grafa etnike të jetë në letërnjoftim. Përkundrazi jemi të bindur se së shpejti do të kemi edhe zgjidhje konkrete për këtë çështje”, kishte deklaruar Kasami kohë më parë për televizionin Alsat.
Megjithatë shpresat për vendosjen e grafës entike në letërnjoftime u shua sot nga kryeministri Zaev, i cili tha se shumë vështirë është e realizueshme kjo ide.

“Ne kemi dhënë mbështetje në fazën e ndryshimeve kushtetuese. Evropa na bëri me dije se grafa etnike në letërnjoftim nuk është praktikë evropiane. Kanë paralajmëruar se në gusht do të ketë rregullore të posaçme pikërisht për këtë. Edhe njëherë për këtë e shpreh publikisht dhe hapur mbështetjen për Besën si propozues, por definitivisht për këtë nuk mundemi të gjejmë zgjidhje në Kuvend”, deklaroi Zaev.