U mbushën plot 5 vjet nga vërshimet e 5-6 gushtit të vitit 2016 që ndodhën në Hasanbeg, Stajkovcë, Creshevë, Haraçinë dhe Smillkovc të Shkupit, katastrofë kjo që i mori jetën 22 personave mes të cilëve edhe fëmijë.

Elifi 16 muajshe ishte viktima më e re në moshë e cila ndërroi jetë së bashku me babain e saj, vetëm se trupi i saj asnjëherë nuk u gjet.

Endriti 7 vjeçar dhe nëna e tij Zemrijeta Sinani, ishin gjithashtu dy viktima të vërshimeve nga një familje.

Mbi 5000 familje kishin pësuar dëme të mëdha, ose shtëpitë u ishin bërë të pabanueshme, ndërsa mbi 600 hektarë tokë bujqësore u shkatërrua tërësisht.

Gjatë 24 orëve më 6 gusht 2016, në Shkup kishin rënë 92,9 litra shi në një metër kub, ndërsa gjatë dy orëve të para të vërshimeve, kishte patur mbi 800 vetëtima.

Atëkohë, nga shiu i rëmbyeshëm ishin shkulur drunjë, ndërsa shtëpitë kishin ngelur pa energji elektrike. Mijëra qytetarë u evakuuan gjatë natës së 6 gushtit.

Hasanbegut pas vërshimeve i erdhën në ndihmë shtete të ndryshme të rajonit dhe pjesën më të madhe të dëmit material e kompensuan, por ende sot e kësaj dite ka familje ose afaristë që nuk i kanë marrë kompensimet për dëmin në biznes. Ende sot e kësaj dite shteti nuk ka dalë me ekspertizë se çfarë i shkaktoi vërshimet dhe asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësi për insfrastrukutën e dobët në këtë pjesë të Shkupit që vetëm ia lehtësoi rrjedhën ujit. Përgjigja e vetme e autoriteteve ka qenë se kjo është një fatkeqësi natyrore.

Që ironia të jetë më e madhe edhe sivjet Maqedonia e Veriut po përballet me një katastrofë natyrore. Zjarret kanë kapluar vendin anembanë, por fatmirësisht deri më tani ka vetëm një viktimë. /SHENJA/