Charif Majdalani – Shkrimtar/Université Saint-Joseph, Beirut

Ka diçka fantastike rreth fatit, diçka tragjike madje. Pikërisht 100 vjet më parë, më 1920, u themelua kombi-shteti i Libanit. Mundet vetëm të habitesh me ironinë e fatit që e çoi një vend drejt rrënimit në të njëjtën datë të lindjes, në atë moment kur duhej të festohej 100 vjetori i lindjes. Sa larg duhet të shkoj në këto 100 vjet për të gjurmuar gjenealogjinë e kësaj fatkeqësie?

Libani, Zvicra e vogël arrogante që shpallte se ishte trashëgimtar i një kombi anik, biblik madje, ra për herë të parë më 1975, pas 30 vjetësh të cilat sot priren të idealizohen. Në fakt, ato ishin 30 vjet beteje, konflikti dhe luftërash të padeklaruara për krijimin e identitetit të vendit. Kristianët e konsideronin atë si të drejtën e tyre dhe të krijuar për ta. Ata refuzonin të ndanin ndonjë pushtet real me myslimanët, që kërkonin atë që mendonin se u takonte, ndërkohë që aspironin ta rreshtonin vendin me planet e mëdha arabe dhe Nazirite. Myslimanët bënë aleancë me organizatat e armatosura palestineze; kristianët e panë këtë si kërcënim ekzistencial, u armatosën edhe vetë dhe më pas e gjitha shpërtheu.

Askund tjetër më shumë se në Libanin e asaj kohe, këto “30 vjet të lavdishëm” nuk e meritojnë emrin e tyre. Pavarësisht mosmarrëveshjeve. Sa për datat – 1945-1975, janë 30 vjetët e Republikës së Parë LIbaneze, që pasuan pesë vjet të Mandatit të plogësht Francez – aq edhe për pasuritë që vendi arriti në atë periudhë. Kabaretë e Beirutit dhe klubet e natës ishin më të famshmet në mbarë Lindjen e Mesme. Në ato ditë, Dalida, Jacques Brel dhe Louis Armstrong performuan në teatro dhe Casino du Liban, ndërkohë që tempujt monumentalë të Ballbek ishin sfondi për performancën e simfonive të Beethoven të dirigjuara nga Otto Klemperer dhe të prodhimit të Franco Zeffirellit të “Kurorëzimit të Popeas”, vepër e Monteverdit. Jean- Paul Belmondo lëvrinte me Jean Seberg në korridoret e Hotel Phénicia, Louis Aragon qëndronte në Hôtel Palmyra, spiunë nga mbarë globi merrnin detyra në barin e famshëm në Hôtel Saint-Georges, projektuar nga Jean Royere, ndërkohë që Oscar Niemeyer ishte i zënë me ndërtimin e qendrës së shfaqjeve në Tripoli, frymëzuar nga një e ngjashme në Brasilia. Por Brigitte Bardot nuk ishte shumë e kënaqur me të gjithë këtë dhe shpalli pas një filmi të xhiruar në Beirut se ishte e zhgënjyer, si qyteti ishte shumë i oksidentalizuar për shijet e saj. Ajo ndoshta priste të gjente gamilje, gomerë dhe belly dancers rreth shatërvanëve maore.

Por jo, njerëzit kërcenin tuist dhe rock ‘n’ roll, bëni ski në ujë dhe minifundet ishin kudo; e gjitha kjo arriti shpërthimin e vet në fillim të viteve ’70, pak përpara kolapsit. Ndërkohë, në periferi të qytetit, luftohej mes milicive palestineze dhe kristianëve dhe qeveria nuk kishte ndonjë kontroll mbi jugun e vendit. Në atë kohë ishim si njerëz që jetonin në rrëzë të vullkanit, duke punuar tokën tonë pjellore, duke punuar shumë për t’u pasuruar, duke kaluar kohë të bukura, teksa duke dëgjuar ulërimat e rregullta nga barku i tokës, ndjerë lëkundjet nën këmbët tona dhe duke mos i kushtuar vëmendje, thjesht duke ngritur supet me pretendimin se kështu kishte qenë përherë dhe kështu do të mbetej për një kohë të gjatë. Deri në ditën kur e gjitha nuk ishte më.

Shpërthimi i luftës civile më 1975 erdhi si një larje hesapesh dhe hesapesh të bëra gabim të Republikës së Parë Libaeze. Në vitet e para të konfliktit, milicitë po luftonin thuaje me konsensus: anëtarët e tyre konsideroheshin si heronj që sakrifikonin të ardhmen dhe jetën e tyre për të mirën e përbashkët apo një ideal që ia vlente, pavarësisht nëse kjo ishte mbrojtja e identietit libanez apo ekzaltimi i madhështisë së tij arabe. Por kjo nuk zgjati. Ndërhyrjet siriane nga 1979 e në vazhdim, pastaj ato izraelite nga 1982 dhe përmbysja e lojës së tyre, dhe veçanërisht zgjatja e konfliktit, i shndërroi grupet e para të armatosura në milici të rregullta dhe më pas në ushtri thuajse profesionale. Ndryshoi edhe sjellja e luftëtarëve po ashtu dhe shumë nga vullnetarët e parë në fushëbetejë, vendosën të mos vazhdonin luftën për shkak të erozionit të idealeve fillestare.

Të rinjtë entuziastë të fillimit të konfliktit u zëvendësuan gradualisht nga ushtarë profesionistë. Ngjizja me popullsinë e përgjithshme u zbeh, më pas një armiqësië e vërtetë ndaj milicive nisi të merrte jetë në të dyja anët dhe në të njëjtën mënyrë, pa dalë megjithatë në plan të parë. Siç është e natyrshme, politikanët e vjetër, liderët e Republikës së Parë që ishin edhe propozuesit kryesorë të luftës – Pierre Gemayel, Camille Chamoun, Kamal Jumblatt apo Saeb Salam – gradualisht u spostuan apo eliminuan, për t’u zëvendësuar nga një brez i ri, jo politikanësh por zotër të luftës: Samir Geagea, Elie Hobeika, Walid Jumblatt apo Nabih Berri.

Milicitë e ndryshme të tyre dhe klientët e panumërt që pasuroheshin pranë tyre ia pinë gjakun vendit për një dekadë, përmes gjobave, trafiqeve dhe kontrollit të infrastrukturës publike gjysmë të falimentuar, sidomos porteve dhe aeroporteve. Çka shpjegon se pse rritja e gjeneralit Michel Aoun, komandanti në detyrë i asaj që mbeti nga ushtria e ligjshme, pati kaq shumë ndikim dhe pse ai gjeneroi aq shumë entuziazëm. Ky mburravec kokëkrisur dhe dembel, premtoi në fjalime pompoze se do të pastronte Libanin nga milicitë dhe më pas se do të hiqte qafe prezencën siriane. Por pas betejave të përgjakshme dhe pa kuptim, në vend të suksesit, ai ia doli vetëm të shkatërronte vendin, të bashkonte të gjithë milicitë kundër tij krahas sirianëve dhe i lejoi këta të fundit ta hiqnin atë qafe dhe të merrnin kontrollin e mbarë vendit duke dekretuar edhe fundin e luftës…

Në fund të konfliktit të armatosur, fitimtarë ishin ata që ishin më të afërt me sirianët apo kishin mbështetjen e tyre në një fazë apo në një tjetër. Hobeika, Berri, Jumblatt apo shefat e Hezbollahut, këta njerëz “të rinj” që e kishin falimentuar vendin gjat konfliktit, do të ishin në gjendje të ndanin tortën madhështore të rindërtimit, me kushtin që do ia dorëzonin një pjesë të saj liderëve ushtarakë sirianë. Pasi i akorduan vetes amnisti gjatë një votimi të paharrueshëm në Parlamentin e parë të pasluftës, ata nisën instalimin e një rrjeti të gjerë kontrolli mbi shtetin, në përplajse me shefat e vjetër të shtabeve të luftës dhe klientëve të shumtë të tyre.

Kolapsi i dytë ishte rezultat i pashmangshëm i vetë parimeve të Republikës së Dytë dhe mutacionit të zotëve të luftës në “politikanë”. Që nga fillimi, në euforinë e rikthimit të paqes dhe pritmërinë e një luksi të jashtëzakonshëm, u shtrinë tentakulat e një sistemi gjigand të thithjes së fondeve të alokuara për rindërtimin e vendit. Mekanizmat e kontraktave të dyshimta, shnatazhit institucional, blerja e aseteve publike, faturimet e rreme, korrupsioni dhe bashkëpunimi u vunë në veprim operacional shumë shpejt në të gjitha nivelet e sektorit shtetëror, që u rishikua me synimin e vetëm pasurimin e njerëzve që kolonizuan vendin, apo atyre që shndërruan në zotërit e tij të huaj. nisën të shfaqen kantiere të kota, duke dhënë përshtypjen e shtimit të punës, fondet ilegale u bënë rutinë krahas favoreve dhe tanxhenteve, marrëveshjet me përqindje, projekte të përbashkëta, punë fiktive dhe klientelizimi i komuniteteve lokale.

I vetmi rishtar i vërtetë mes zotërve të konvertuar të luftës në atë kohë, ishte biznesmeni Rafic Hariri, që ishte bërë kryeministër pas një marrëveshjeje mes sauditëve(mbështetësit financiarë të rindërtimit) dhe sirianëve(garantët e paqes dhe pushtuesit jozyrtarë të Libanit). Ai hyri në skenë me ambicie të vërteta për të rindërtuar vendin, pavrësisht shijeve të tij të diskutueshme në planifikimin urban që gati e shndërruan Beirutin në një lloj megalopolis si ato të Emirateve të Gjirit. Nuk e di sesa ai lejoi që kjo të ndodhte, sesa e detyruan ta bënte një gjë të tillë. Mesa duket ai përdori mënyra jodemokratike për t’u marrë pronën në qendër të qytetit pronarëve, i dha vetes privilegje, hapi llogari të padeklaruara dhe e zhyti Libanin në borxh. Më e rëndësishme, ai u detyrua të punojë me zotërit e vjetër të luftës që mbështeteshin nga sirianët që tani ishin të baarbartë me të si dhe t’u ofronte atyre pa dëshirë poste të niveleve të larta në zyrat publike si dhe pagesa astronomike për kontratat. Por edhe kjo nuk mjaftonte, ai nuk konsiderohej ende i bindur.

Vrasja e tij në vitin 2005 provokoi atë që ishte – ndonëse rrallë përshkruhet kështu – të parin revolucion të vërtetë arab. Miliona libanezë dolën në rrugë dhe dëbuan pushtuesit sirianë. Besimi ynë naiv në atë kohë ishte se ne po hiqnim qafe përgjegjësit e korrupsionit masiv që minonte qeverinë, se çdo gjë do shkonte shumë mirë që nga ai moment dhe se kjo Republika e Dytë do t’i shërbente qytetarëve më në fund. Armiqtë e Sirisë dolën nga hija, mburraveci Aoun u rikthye dhe pasuesit e tij e panë këtë si një ardhje të dytë të Mesias, apo si De Gaulle pas pushtimit. Për fat të keq, politikanë të të gjitha bindjeve – rishtarë dhe ish-aleatë të Sirisë që kishin ruajtur pozicionet e tyre – rinovuan aleancat e vjetra apo krijuan të reja, synimi i të cilave nuk ishte asgjë tjetër veçcse konservimi i kontrolit oligarkik të qeverisjes, e cila vazhdoi të ishte fitimprurëse, jashtëzakonisht fitimprurëse.

E gjitha kjo zgjati për 30 vjet. Ndoshta ka një gjëegjëzë që duhet zgjidhur në datat që përkufizojnë historinë e këtij vendi. Sepse 30 vjet, nga 1945 në 1975, është koha që iu desh Republikës së Parë që të binte. 30 vjet të tjera të lavdishme, nga 1990 në 2020, dyfishuan 30 të parat. Beirut u bë sërish qyteti i festave dhe qendër e jetës së natës në mbarë Lindjen e Mesme dhe ndoshta edhe në mbarë Mesdheun. Mund të shohësh më shumë Porche dhe Maserati këtu sesa në Beverly Hills. Ishte një vend i mirë për të qenë i pasur, por mundet edhe të bëheshe i tillë në art dhe projektim, sikundër në biznes apo pasuri të patundshme, bankat ofronin interesa trullosëse dhe ishte një El Dorado për ata që merrnin dividente. Asgjë nuk prodhohej më, bujqësia u braktis, industria nuk ezkistonte, njerëzit jetonin mbi importet dhe qeveria vendosi të merrte kredi në dollarë nga bankat lokale me interesa absurde, në mënyrë që të financonte projekte të mëdha. Borxhi arriti në 30 miliardë, pastaj 40 miliardë, më pas 50 miliardë dhe interesi i tij vetëm ishte më i madh se Prodhimi i Brendshëm Bruto. Por ama Roberto Alagna këndonte në Beitedddine, Placido Domingo në Baalbek dhe konkursi i Mis Europës mbahej në Liban. Edhe njëherë, ne po kërcenim në këmbët e vullkanit, ulërimat kërcënuese të të cilit refuzuam t’i dëgjonim, apo në buzë të një gremine brenda së cilës më në fund ramë.

Shënim: Shkrimi publikohet në “The Paris Review” dhe nuk do shumë të shihet ngjashmëria e frikshme mes Libanit dhe Shqipërisë së Formula Uno-s. Projekteve të mëdha, alibia e të cilave është “ëndrra” e madhe. Luksi, korrupsioni, borxhi. Gremina është përpara nesh dhe të gjithë kthejnë kokën nga ana tjetër. Dikur Fatos Nano paralajmëroi se Shqipëria po bëhej si Qipro. Nuk rezultoi ashtu. Shqipëria u mavijos e tëra dhe po i afrohet Libanit. Një shtet i dështuar.