Dy binjakë 4-vjeçarë dhe prindërit e tyre ishin mes viktimave të zjarrit të tmerrshëm që shpërtheu mëngjesin e sotëm në autobuzin e mbushur me pushues në Bullgari.

Luan Ahmeti e Alban Ahmeti, vdiqën së bashku me nënë e tyre Avnie dhe babanë Xhihan, në zjarrin ku humbën jetën dhe 41 të tjerë – dhjetë prej të cilëve fëmijë.

Nëna shqiptare u gjet e vdekur me dy djemtë e saj në krahë, pranë dyerve të autobuzit tragjikisht pa arritur të dalë.

Mes të tjera viktimave ishte Gazmend Ukali, 27 vjeç, dhe e fejuara e tij 23-vjeçare Albina Belluli.

Turistët fatkeqë po ktheheshin nga një udhëtim në Turqi kur u përfshinë nga zjarri në autostradë në Bosnek, pranë kryeqytetit Sofie rreth orës 02.00 të mëngjesit.

Zëdhënsi bullgar Nikolai Nikolov tha se 12 fëmijë ishin mes viktimave të aksidentit të rëndë.

Pesë fëmijë të konfirmuar të vdekur, ishin nxënës të së njëjtës shkollë fillore në Shkup të Maqedonisë së Veriut, të afërm me njëri-tjetrin.

Sot në hyrje të shkollës shqiptare fillore Ismail Qemali ne Shkup nxënësit qanin kur mësonin për tragjedinë dhe fatin e shokëve të tyre.

“Erginin e kisha shok. Ishte djalë shumë i mirë. Më vjen shumë keq që kanë vdekur,” tha për mediat 11 vjeçari Blerim Bushi, shkruan britanikja The Sun.

Shkolla ka pezulluar përkohësisht mësimin.

Në Bullgari, 45 vjeçari Adnan Yasharovski, tha se vajza e tij 16-vjeçare Zuleika e kishte marrë në telefon për t’i thënë se kishte shpëtuar.

“Ajo qante. Ishte djegur në duart por për fat nuk kishte gjë tjetër,” tha i ati jashtë spitalit.

“Ajo nuk tha shumë, qante dhe ishte e tronditur. Më lejuan ta shihja vetëm nga dera, jo në dhomë”, shton Adnani.

Një nga të mbijetuarit tha se kishte dëgjuar një “shpërthim të fuqishëm”, raportonin mediat vendase.

Ato shtonin se shoferi i autobuzit mund të ketë vdekur kur mjeti goditi barrierat e rrugës dhe prandaj dyert e mjetit nuk mund të hapeshin.

Në pamje autobuzi i djegur i tragjedisë shihej i rrethuar nga mjetet emergjencës që shkuan me nxitim në autostradën në Struma në perëndim të Bullgarisë.

Shkaku i zjarrit është ende duke u hetuar por pistat kryesore janë ato të fajit të shoferit.

Hetuesi bullgar Borislav Sarafov tha: “Gabimi njerëzor i shoferit ose keqfunksionimi teknik janë versionet fillestare për aksidentin.”

52 njerëz udhëtonin në bordin e autobuzit të tragjedisë dhe shumë prej viktimave kishin lidhje fisnore me njëri-tjetrin.

Ministri i jashtëm maqedonas Bujar Osmani tha se autobuzi po kthehej në Shkup pas një fundjave pushimi në Stamboll të Turqisë.

Ministri i Transportit Petar Mutafchiev tha se shoferët ishin paralajëmruar për kushtet e “rrezikshme” të rrugës ku po udhëtonin, raporton rrjeti 24Chasa.

Mutafchiev shtonte se ne 2015 në këtë vend për pak sa nuk kishte ndodhur një aksident madhor.

Skenat e tmerrshme përshkruheshin nga minsitri i brendshëm bullgar Boyko Rashkov, i cili tha se trupat e viktimave ishin “krejt të djegura.

Në vitin 2019, Bullgaria, me një popullatë prej shtatë milionësh, kishte numrin e dytë më të madh të viktimave nga aksidentet rrugore në BE, me 89 njerëz të vrarë për çdo 1 milionë.

628 bullgarë kanë vdekur në rrugë në 2020 nga aksidente që i atribuohen kryesisht automjeteve të vjetëruara, mosrespektimit të rregullave të qarkullimit dhe kushteve të dobëta të rrugëve, shkruan e përditshmja turke Daily Sabah.