Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas akuzave të sotme që VMRO-DPMNE bëri ndaj kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti në lidhje me një fotografi, ku shihet një “numëratore e parave”, përcjell TV21. Nga BDI thonë se fotografia është bërë në zyrat e një kompanie në Kosovë.

“Në lidhje me akuzat e pabaza dhe tendencioze për kinse parregullsi në shfrytëzimin e energjisë elektrike në shtëpinë e kryetarit Ali Ahmeti, më datë 27 Shtator të vitit 2021, EVN u prononcua zyrtarisht se në inspektimin e realizuar nuk është konstatuar asnjë parregullsi e vetme. Sa i takon “numëratorit të parave”, opinioni tashmë e di se fotografia e kryetarit Ali Ahmeti është realizuar në zyrat e një kompanie në Republikën e Kosovës dhe kjo u konfirmua me reagime nga vetë udhëheqësit e asaj kompanie”, thuhet mes tjerash në reagimin e sotëm të BDI-së.

Ndryshe, në fotografi shihet flamuri i Kosovës, SHBA-së dhe Shqipërisë, ndërsa mbi ta edhe portreti i komandantit legjendar Adem Jashari.