Nga Alternativa konfirmojnë se, gjatë vikendit, sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, është takuar me nënkryetarin e BDI-së, Izet Mexhiti.
Temë e këtij takimi ka qenë gjendja e shumicës parlamentare dhe ndryshimet që mund të ndodhin me inkuadrimin e Aleancës për Shqiptarët në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me këtë rast Ibrahimi ka ritheksuar se nëse futja e ASh-së nuk e ka arsyen e krijimit të numrit të 80 deputetëve për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, atëherë kjo ka kuptim vetëm që të shpëtohet jeta politike e partisë që ka humbje të deputetëve, duke aluduar në BDI-në.

Edhe Izet Mexhiti është shprehur se Artan Grubi insiston për futjen e ASh-së në qeveri, që kështu ta ndalojë mendimin ndryshe nga ai dhe bashkëmendimtarët e tij brenda BDI-së. Sipas tij, sot karriera politike e Grubit varet nëse atë e shpëton Arben Taravari apo jo.
Tashmë e dimë se Alternativa është shprehur që nuk ka gatishmëri të bëjë kompromise të reja nga marrëveshja Zaev-Gashi më 2021, ashtu që zhvillimet politike sa vijnë e ndërlikohen.

Kur kësaj i shtohen edhe mospajtimet e ish kryeministrit Zaev me kreun aktual të LSDM-së rreth idesë së një qeverie LSDM-VMRO, duke e ditur gjithnjë ndikimin e tij te deputetët aktualë të LSDM-së, rritet mundësia që edhe nëse Aleanca për Shqiptarët pranon të bëhet pjesë e qeverisë, kjo të mos jetë e mjaftueshme për të formuar shumicë të mjaftueshme në parlament dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Gjatë kësaj jave do të zgjidhen këto dilema.