Deri sa po bëhen përpjekje të pandërprera për sigurimin e 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese të nevojshme për heqjen e vetos bullgare në negociatat për anëtarësim në BE, në sfond po vërehet rreziku nga një veto e re për Maqedoninë e Veriut. Veto aktuale është vendosur nga Sofja zyrtare, dita ditës po shtohet frika se veton e ardhshme Maqedonia e Veriut mund ta pësojë nga Shkupi zyrtar. Po pra, nuk është gabim teknik! Maqedonisë së Veriut po i kanoset rreziku nga një veto e re prej Shkupit zyrtar.

Si mundet Shkupi t’i vendosë veto Maqedonisë së Veriut?

Fjala popullore thotë se atë çka ta bën vetveteja, nuk mund ta bëjë askush tjetër. Të keqen që mund të ja bëjë Maqedonia vetvetes nuk mund të ja bëjë asnjë vend tjetër, as ato fqinje, e as ato më të largëta.
E një gjest jo të mirë ndaj vetvetes, vendi ynë si duket ka bë me ndryshimet e Kodit Penal. Jashta debatit vendor pushtet-opozitë rreth kësaj teme, vërejtje shqetësuese kanë arritur nga Brukseli, prej kryeqytetit evropian që bën vlerësimin final nëse një vendim, nen ose ligj është në frymën evropiane, ose jo, shkruan Zhurnal.

Është vetë Komisioni Evropian që me shqetësim konstaton se disa nga ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në mënyrë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të cilat reduktojnë dënimet maksimale ligjore dhe kanë implikime në zbatimin e vjetërimit, prekin një numër të madh rastesh të korrupsionit të nivelit të lartë, tha zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero.

KE shpreh keqardhje për mungesën e konsultimit gjithëpërfshirës të palëve të interesuara vendase me Komisionin Evropian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila sipas tyre duhet të jetë konsistente dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e ligjit kombëtar me acquisin e BE-së. “Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për të promovuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar mosndëshkimin dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet e korrupsionit duhet të jenë efektive, proporcionale dhe bindëse”, thotë Pisonero.

Nga KE thonë se forcimi i besimit në sistemin e drejtësisë dhe trajtimi i pandërprerë i korrupsionit, duke përfshirë përmes hetimeve solide, si dhe ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, është thelbësor. Prandaj ata shtojnë se Komisioni do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e shtetit të së drejtës nga shumë afër, duke përfshirë edhe në kontekstin e negociatave të anëtarësimit.

Ky është reagimi i parë i Brukselit pas ndryshimeve të javës së kaluar në Kodin Penal. Reagim që nuk len vend për shumë optimizëm. Deri sa përballemi me veton bullgare, shumë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë Maqedoninë e Veriut në fokusin e interesimit të tyre, shkruan Zhurnal. Mirëpo kur të bie vetoja bullgare dhe do të duhet ta bëjmë hapin e radhës, sigurisht që edhe vendet tjera anëtare të BE-së do të futen në analiza më te detajuara se deri ku kemi lëvizur (para ose mprapa) në përputhje me frymën evriopiane. Tek atëherë mund të vijnë në shprehje efektet negative të ndryshimit të Kodit Penal. Nëse tek një pjesë e vendeve anëtare të BE-së çështjet gjeostrategjike kanë prioritet para përmbushjes së Kritereve të Kopenhagës, një pjesë e konsiderueshme e vendeve anëtare nuk duan të dëgjojnë as për ndonjë kompromis minimal në kurriz të këtyre kritereve.

Kurse ndryshimet e Kodit Penal nuk duken si ndonjë kompromis minimal, sepse vetë zëdhënësja e KE-së e ka theksuar se ato prekin edhe korrupsionin e nivelit të lartë. Janë ato shtete tek të cilat sot e kësaj dite vërehet keqardhje se ndoshta pranimi i Rumanisë dhe Bullgarisë ishte i ngutur, të cilat këtë çështje me siguri do ta parashtrojnë kur të vie në rend dite edhe Maqedonia e Veriut. Me ndryshime të tilla të Kodit Penal, shto kësaj edhe skepticizmin për zgjerim që është prezent vazhdimisht dekadën e fundit, kemi plot të drejtë të frikësohemi.

Kujtojeni vetëm deklaratën e ambasadorit holandez në Shkup, Dirk Jan Kopp, kur në fund të majit tha hapur se e vetmja arsye pse Holanda u pajtua me vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit të RMV-së me BE-në ishte garantimi se do të procesuohen rastet e PSP-së.

Pas Brukselit, pritet reagim i Uashingtonit

E ndërkohë, ndryshimet në Kodin Penal, përveç BE-së, po i shqyrton edhe ekipi juridik i Ambasadës Amerikane në Shkup. “Ekipi ligjor i ambasadës amerikane është duke i shqyrtuar. Unë personalisht nuk i kam parë, kështu që nuk mund t’i komentoj. Dhe siç thamë në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është e nevojshme të ndiqen procedurat e sistemit juridik të vendit”, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve ambasadorja amerikane Angela Ageler.

Javën e kaluar, në një hark kohor prej vetëm pak orësh, në Kuvendin e RMV-së u miratuan në mënyrë eksprese ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, pa amendamente nga opozita, të cilat më herët ishin miratuar nga Qeveria e RMV-së në seancën e qeverisë në fund të gushtit, pa e informuar publikun për këtë, në njoftimet zyrtare që u dërgon mediave, shkruan Zhurnal.
Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërsimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.
Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

Kodi Penal një shuplakë për Listën e Zezë amerikane

Reagimet negative nuk kanë të ndalur. “Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski dhe Ramiz Merko janë pjesë e njerëzve të së ashtuquajturës “Lista e Zezë” e SHBA-ve, të cilët do të ndjejnë përfitimet nga ndryshimet e javës së kaluar në Kodin Penal, të cilat përveç uljes së dënimeve, do të sjellin edhe vjetërsimin e disa çështjeve gjyqësore”, shkruan Deutsche Welle. Për kujtesë – një ditë pasi Ministria e Financave Amerikane e futi biznesmenin Jordan Kamçev në “listën e zezë” të SHBA-ve, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, foli në një konferencë për shtyp (më 20 korrik) se sa e rëndësishme është që RMV të merret me krimin dhe korrupsionin.

“Që Maqedonia e Veriut të kapërcejë sfidat që pasojnë dhe të përmbushë qëllimin për t’u bërë një anëtare e begatë, produktive dhe e vlerësuar e BE-së, korrupsioni nuk mund të kalojë thjesht. Të korruptuarit duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi siç e tregon ky emërim”, tha ambasadorja amerikane, përcjell PRESSonline.al
Ajo theksoi se “është interesante të shihet se cilët dhe çfarë hapash do të pasojnë”, duke aluduar në institucionet kompetente maqedonase.

Grupi i organizatave të shoqërisë civile Blueprint, i cili reagoi për ndryshimet, theksoi se ato do të ndikojnë në fatin e procedurave gjyqësore të nisura nga Prokuroria Speciale Publike. Lëndët Titanik, Target/Kalaja, TNT, Titanik 2, Trezor, Talir, Shkallët Spanjolle dhe Traektorja janë në rrezik të vjetërsimit absolut.
Në kulmin e reagimeve për ndryshimet në Kodin Penal ka mbërritur në Shkup i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili në intervistën ka thënë se është i befasuar nga miratimi i tyre.

“Në fillim u habita. Kjo është një punë e madhe. Ata e bënë heshturazi. Ishim vërtet shumë të befasuar. Më pas u përpoqëm të zbulonim kontekstin real dhe të kishim njohuri bazë për këtë temë. Sinqerisht, ne nuk kemi krijuar ende një mendim. BE-ja do të dëshirojë të japë mendimin e saj se Komisioni kontrollon dhe mbron marrëveshjet. Por kjo është një punë e madhe. Shumë raste do të trajtohen sipas legjislacionit të ri. (…) Ndryshimet në sistemin penal mund të jenë të nevojshme, por mosndëshkimi nuk është një opsion”, tha Sarrazin.

Mesazhi i tij në fund sublimon krejt pasojat që mund t’i ketë Maqedonia e veriut nga ndryshimet e ngutshme të Kodit Penal. “Nëse doni të hyni në BE nga një rrugë që shkon kundër standardeve të BE-së, ajo rrugë nuk do të përfundojë me sukses”, ka theksuar Sarrazin.

Von der Leyen: Sundimi i ligjit prioritet

Në fjalimin vjetor për gjendjen e unionit, presidentja e Komisionit Europian e cilësoi zgjerimin si një hap të domosdoshëm për të kompletuar bllokun përballë përpjekjeve destabilizuese të disa vendeve.

Megjithatë, Von der Leyen e vuri theksin te nevoja e sundimit të ligjit dhe njoftoi se edhe shtetet që aspirojnë t’i bashkohen bllokut do të prezantojnë raporte lidhur me këtë, ashtu si vendet anëtare.

“Ky parlament e ka thënë me zë të lartë. E ardhmja e Ukrainës dhe e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Historia po na thërret tani, për të kompletuar unionin tonë. Në një botë kur disa po përpiqen të marrin vendet, një nga një, nuk mund t’i lejojmë vetes të lemë pas bashkëqytetarët tanë europianë. Në një botë kur masa dhe pesha ka vlerë, është tërësisht në interesin tonë strategjik të kompletojmë Bashkimin Europian. Por përtej politikës dhe gjeopolitikës duhet të kemi të qartë se çfarë është në lojë.

Duhet të përcaktojmë një vizion për zgjerim të suksesshëm. Një union të plotësuar me më shumë se 500 milionë njerëz që jetojnë në një union të lirë dhe demokratik. Një union me demokraci vibruese, ku gjyqësori është i pavarur, opozitarët janë të respektuar dhe po ashtu gazetarët. Pasi sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore janë dhe do të mbeten themelet e unionin, tek anëtarët aktualë dhe ata të ardhshëm. Prandaj, komisioni i ka bërë raportet për sundimin e ligjit një prioritet kyç. Të njëjtën gjë mund ta bëjmë edhe për anëtarët e ardhëm. Prandaj, njoftoj sot se do të nisim raportet për sundimin e ligjit për ato vende aderuese që përshpejtojnë ritmin. Kjo do t’i vendosë ata në të njëjtën pozicion me shtetet anëtare dhe do t’i mbështesë në përpjekjet për reforma dhe do të ndihmojë qe e ardhmja jonë te jetë një union i lirisë dhe vlerave për të gjithë”, u shpreh Von der Leyen./Zhurnal