Struga Trim Lum po përfundon vitin më të suksesshëm në histori, ndërsa kjo gjë konfirmohet edhe përmes renditjes më të fundit të UEFA-s në rang klubesh.
Suksesi i jashtëzakonshëm i këtij edicioni në arenën europiane, bëri që skuadra strugane të bëjë një lëvizje pozitive prej plotë 90 vendesh, për dallim nga viti i kaluar, kur kjo skuadër renditej në pozitën e 417-të.
Kështu viti 2023 do e gjejë ekipin e Struga Trim Lum në pozitën e 327-të, duke u bërë forca e tretë prej klubeve nga Maqedonia në arenën europiane, pas Shkëndijës dhe FC Shkupit, që renditen në pozitën e 169-të, gjegjësisht 174.
Është pa dyshim ky një sukses i jashtëzakonshëm për Struga Trim Lum që këtë vit luajti vetëm për herë të dytë në garat europiane, pas atyre në sezonin 2021/22.
Atë kohë skuadra buzë liqenit kishte debutuar në Ligën e Konferencës, duke u eliminuar që në raundin e parë nga letonezët e Liepaja, ndërsa këtë vit për herë të parë në histori kishte debutuar edhe në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve, aty ku u eliminuan që në raundin e parë nga lituanezët e Zhalgiris, për të vijuar më pas në garat e Ligës së Konferencës, ku arritën deri në fazën “play-off”.
Pikërisht suksesi i këtij viti bëri që skuadra e Struga Trim Lum të ketë ngritjen më të madhe nga të gjitha skuadrat tjera.