Kryeministri Dimitar Kovaçevski pret që VMRO-DPMNE ta përmbushë obligimin ligjor dhe të propozojë emra për ministra në Qeverinë teknike. Sipas tij, mospjesëmarrja e mundshme e opozitës në qeverinë teknike do të linte njollë në të gjithë procesin zgjedhor. Kovaçevski theksoi se do të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit ashtu siç parashikon ligji dhe njëjtë siç vepruan paraardhësit e tij.

“Ashtu si partitë e tjera politike e kanë përmbushur obligimin ligjor më parë, mendoj se nuk ka arsye në këtë rast që VMRO-DPMNE të mos e përmbushë sepse propozimi del nga Ligji i Qeverisë. Nuk ka asnjë pengesë apo arsye pse kjo të mos bëhet dhe Maqedonia e Veriut të mbajë zgjedhje demokratike më 24 prill dhe 8 maj”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

VMRO-DPMNE theksoi se Talat Xhaferi nuk është zgjidhje e përshtatshme për kryeministër teknik. Partia e Mickoskit bëri të ditur se për pjesëmarrjen e saj të mundshme në Qeverinë teknike do të vendosin organet e partisë ndërsa vendimi pritet të merret javën e ardhshme.

“Do të ketë vendim javën e ardhshme. Shqetësuese është dëshira e pushtetit për ryshfet zgjedhor, kinse ndarje të ndihmës sociale që është vetëm nënvlerësim i qytetarëve, buxheti që është i përshtatur për ryshfet zgjedhor është shqetësues, por qytetarët duhet të inkurajohen nga fakti që VMRO-DPMNE do të marrë vendime që janë e kundërta e kësaj”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Disa media më herët raportuan se posti i “zëvendëskryeministrit të parë” në qeverinë teknike do të hiqet. Prespektivisht se në vend të Grubit, në këtë kolltuk do të ulej drejtori aktual i Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkët, Pece Mirçevski. Në krye të Ministrisë së Sistemit Politik, sipas njoftimeve, do të emërohej Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti. Mirëpo, Kovaçevski theksoi se për këto pozita nuk parashikohet ndryshim në Qeverinë teknike.

“Gjithçka është e përcaktuar në Ligjin e Qeverisë Teknike. Nuk ka improvizime në atë pjesë. Aty thuhet saktë… Ministër i Brendshëm, Ministër i Punës dhe Politikës Sociale, cilët zëvendësministra shtesë, pra thuhet saktë. Nëse fillojmë të futemi në procese improvizimi, atëherë kjo i vë njollë gjithë procesit”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Qeveria teknike pritet të fillojë punën më 28 janar respektivisht 100 ditë para zgjedhjeve kurse kryeministër teknik pritet të jetë Talat Xhaferi. LSDM tashmë ka vendosur se kush do të jetë kandidati për zëvendësues të tij.

oordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski, propozohet për kryeparlamentar të ri, ndërsa votimi në Kuvend mund të jetë në mes të janarit. Në rast të vonesës së inaugurimit të presidentit të ri të vendit, që duhet të bëhet më 12 maj, Mitreski si kryetar i Kuvendit do ta kryente edhe funksionin e presidentit. Kjo mund të ndodhë për shkak se raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar për 8 maj dhe më pas ka afat treditor për ankesa për shkak të parregullsive të mundshme zgjedhore. /Alsat.mk