Ndonëse tanimë është e qartë se kush me kë do të formojë koalicion parazgjedhor, edhe më tej mbeten të paqarta listat e kandidatëve për deputetë.
Në bllokun politik shqiptar, koalicioni VLEN tanimë ka zyrtarizuar bashkëpunimin dhe pritet që të publikojnë listat dhe bartësit e listave në bazë të zonave zgjedhore.
Sipas asaj që dihet jozyrtarisht, Izet Mexhiti pritet të jetë bartës në zonën e parë zgjedhore, në zonën dy Afrim Gashi, në zonën gjashtë Bilall Kasami. Në zonën 5 pritet të jetë ndonjë nga partia e Arben Taravarit.
Sa i përket frontit europian të udhëhequr nga BDI, e njejta është në formim e sipër dhe shumë shpejtë pritet të zyrtarizohet. Bashkë me BDI-në, në lista të përbashkëta pritet të jenë ASH-krahu i Selës, PDSH, PDE dhe L.Populli. Arjanit Hoxha nga PDE, për TV21 thotë se të gjitha këto parti kanë qenë me angazhime të brendshme organizative dhe për finalizimin e koalicionit do të njoftojnë së shpejti.
“Kemi qenë të angazhuar të gjithë palët me organizimet e brendshme në këtë periudhë. Do t’iu njoftojmë sapo të finalizohet gjithçka”, tha Hoxha.
Edhe Skender Rexhepi nga Lëvizja Populli, na njoftoi se nuk ka diçka të re në fushën e bisedimeve por shumë shpejtë palët do të takohen.
Nga ky koalicion mësojmë se bartës në njësinë e parë zgjedhore do të jetë Blerim Bexheti, e pas tij në listë është Skender Rexhepi Zejd. Në NJZ2 bartës do të jetë Sadulla Duraku dhe i dyti Elmi Aziri. Në njësinë e tretë dhe të katërt nuk do të kenë përfaqësues të tyre, ndërsa në njësinë e pestë bartës do të jetë Ziadin Sela dhe i dyti Musa Xhaferi. Njësia e gjashtë, e cila konsiderohet më atraktive në të cilën forcat i matin liderët e bllokut politik shqiptar, do të udhëhiqet nga Ali Ahmeti, ndërsa i dyti në listë është Talat Xhaferi.
Te blloku opozitar, bartësit e listave sipas zonave i shpalosi kreu i VMRO-DPMNE-së, Hrisitjan Mickoski. Ai personalisht do t’i prijë listës në zonën 1, Vllado Misajllovski në zonën 2, Dragan Kovaçevski në tresh, Aleksandar Nikollovski në zonën 4, në 5 ende nuk ka vendim final ndërsa zonës gjashtë do t’i prijë Dafina Stojanovska.
“Po në zonën e parë do të jem unë, këtë e kemi thënë. Nënkryetari Misajllovski do të jetë në zonën 2. Në ZZGJ 3 do të jetë Dragan Kovaçki. Në ZZGJ 4 do të jetë Aleksandar Nikollovski. Në ZZGJ 5 ende s’kemi vendim. Në ZZGJ 6 do të jetë Dafina Stojanovska, deputete nga Gostivari dhe anëtare e Komitetit Eksekutiv të VMRO-DPMNE-së”, tha Mickoski.
Te LSDM, tashmë dihet se në NJZ1 listën do ta kryesojë kryetari i partisë Dimitar Kovaçevski, por së bashku me Monika Zajkovën. NJZ2 do të udhëhiqet nga Sanja Llukarevska së bashku me Fatmir Bytyqin. Oliver Spasovski me shumë gjasë do të jetë në njësinë e tretë zgjedhore, por është e paqartë se kush do të jetë me të. NJZ4 do t’i përket dyshes Venko Filipçe dhe Jovana Trençevska, pesëshja pritet të udhëhiqet nga Jovan Mitreski dhe Bisera Kostadinova-Stojçevska. Në NJZ 6 bartës do të jetë Sllavjanka Petrovska, por se kush do të jetë me të ende bëhen kalkulime. Po ashtu bëhet e ditur se sekretari i përgjithshëm i partisë, Mile Zeçeviq, ka kërkuar që të jetë njëri nga bartësit e listave.