Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sot ka shpalosur pozicionet dhe disa emra të Aleancës për Shqiptarët që do të jenë kandidat për deputet të kësaj partie brenda koalicionit VLEN.
“Aleanca për Shqiptarët e mbajti Kuvendin Qendror, ku solli vendim për kandidatët për deputet të cilët do të jenë në listat e VLEN-it, por përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët. Në zonën zgjedhore numër 6 do të ketë pozicionin numër 3”, njoftoi Taravari.
Ai ka sqaruar që kjo pozitë i takon një zonjës nga Tetova, ndërsa brenda ditës pritet të publikohet emri. Në këtë zonë, sipas Taravarit, pozita e dytë do të jetë për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Pozicioni i katërt në zonën zgjedhore numër gjashtë do të jetë Halil Snopçe dhe në pozicionin numër shtatë në zonën zgjedhore gjashtë do të jetë Sadik Sulejmani”, sqaroi Taravari.
Ai ka njoftuar që në zonën numër pesë për bartës liste do të jetë Salim Sulejmani (Strugë). Në zonën zgjedhore numër dy, i dyti në listë do të jetë Rijad Shaqiri (Likovë).
“Në zonën zgjedhore numër një, e kemi pozicionin tre së bashku me Lëvizjen Demokratike do të caktojmë së bashku një emër. Pozicioni numër katër është i ASH-së”, sqaroi Taravari, duke theksuar që pozita e katërt do të jetë për Sarajin ose Studeniçanin.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.
Ai vlerësoi që në këto zgjedhje pret që pesë ose gjashtë deputetë të jenë nga ASH-ja në këto zgjedhje.