Kemi biseduar me kryetarin e Alternativa, Afrim Gashi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por edhe për pyetje personale.
Çfarë rezultati prisni mes Taravarit dhe kundërkandidatit Osmani në zgjedhjet presidenciale?
Gashi: Dallimi mes kandidatit të koalicionit shqiptar VLEN dhe kandidatit të koalicionit multietnik, i a.q. Fronti Europian, është substancial.
Së pari, në kohën që BDI-ja kalkulonte që ta mbështesë Stevo Pendarovskin, ne bëmë thirrje që të kemi kandidat konsensual shqiptar, sepse, si asnjëherë më parë, për shkak të matematikave elektorale, në këto zgjedhje ka gjasa reale që kandidati shqiptar të shkojë në raundin e dytë dhe pse jo të zgjidhet president i Maqedonisë së Veriut.
Dhe, kur nga BDI-ja kishte heshtje, ne e kandiduam Dr. Arben Taravarin, të cilit kohë më parë edhe vetë Ali Ahmeti i kishte shfaqur gatishmëri për mbështetje. Megjithatë, pasi që ne e propozuam, BDI-ja vendosi ta sabotojë kandidatin shqiptar, duke e kandiduar Bujar Osmanin dhe duke kërkuar mbështetje nga komunitetet joshumicë. Dhe, ky sabotim nuk ka të bëjë personalisht me Arben Taravarin, por ka të bëjë drejtpërdrejt me mundësinë që një kandidat shqiptar të futet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Me fjalë të tjera, për ne Arben Taravari nuk është në garë me Bujar Osmanin, por ai garon me krejt kandidatët e tjerë për të kaluar në raudin e dytë. Ky është dallimi themelor mes Arben Taravarit dhe Bujar Osmanit.
I pari është kandidat i shqiptarëve, i dyti është kandidat i mbështetur nga komunitetet joshumicë.
I pari është kandidat për ta bërë betejën që shqiptari të bëhet president, i dyti është kandidat që ta sabotojë mundësinë që shqiptari të bëhet president, duke i bërë shërbim një kandidati maqedonas. I pari është kandidat pa asnjë aferë dhe me plot suksese në detyrat që i ka pasur, i dyti, si ministër i Jashtëm dhe kryesues i OSBE-së, është kandidat të cilit e kaluara i flet keq në relacion me kauzën shqiptare, veçmas në raport me Kosovën.
Prandaj, është evidente se fitues i këtyre zgjedhjeve në kampin shqiptar do të jetë Dr. Arben Taravari, ndërsa humbës jo vetëm elektoral, por edhe kombëtar, do të jetë kandidati i koalicionit të a.q. Fronti Europian.