Deçiçi i Tuzit ia doli të shpallet kampion në ligën elitare të futbollit në Malin e Zi, duke nisur festën një javë para fundit të sezonit të rregullt. Skuadra shqiptare dominoi këtë sezon dhe festoi titullin pas suksesit me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Sutjeskës, ku për më shumë se një pjesë luajti me një futbollist më pak.

Fitorja e skuadrës shqiptare të Tuzit, e shoqëruar edhe me humbjen e Buduçnostit në shtëpi, bëri që Deçiç të ngjitet në kuotën e 67 pikëve dhe të shpallet zyrtarisht kampion një javë para fundit. Ky është titulli i parë kampion në histori për skuadrën e Deçiçit, që për herë të parë në elitën e futbollit malazez ka debutuar në sezonin 2006-2007. Deçiçi i Tuzit është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke u renditur gjithmonë në nivele të larta në futbollin malazez, teksa këtë sezon shënoi edhe emrin në librin e artë të fituesve.