Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka marrë pjesë në promovimin e sistemit „One Stop Shop“ në pikën kufitare të Qafë Thanës, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes një postimi, Sali theksoi simbolikën e realizimit të këtij aktiviteti pikërisht më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e cilësuar këtë datë si një moment që përfaqëson historinë, sakrificën dhe krenarinë kombëtare.
Sipas tij, ashtu siç 22 Nëntori kujton bashkimin e shqiptarëve për njësimin e alfabetit, edhe projekti „One Stop Shop“ përfaqëson një hap konkret drejt afrimit të qytetarëve dhe lehtësimit të komunikimit mes dy vendeve.
„Projektet si One Stop Shop dëshmojnë se këto lidhje mund t’i kthejmë edhe në bashkëpunim konkret, në më pak pritje, më pak burokraci dhe më shumë lehtësi për qytetarët“, ka shkruar Sali.
Ai theksoi se përgjegjësia e institucioneve sot është që lidhjet historike dhe kombëtare t’i shndërrojnë në ura bashkëpunimi dhe mundësi më të mira për brezat e ardhshëm.

