“Idetë e BDI-së janë vetëm për të krijuar huti dhe skepticizëm”. Kështu Arben Taravari nga VLEN i  komentoi paralajmërimet që dalin nga BDI, se janë duke analizuar modele për ndarje rajonale të shtetit, si modeli i Belgjikës ose Irlandës së Veriut. Taravari shtoi se BDI ka pasur kohë 22 vite në pushtet të realizojë gjëra të tilla, e jo tani kur janë në opozitë.

“BDI 22 vjet ka qenë në pushtet, në qeveri, asgjë prej kësaj që e thotë sot nuk e ka implementuar, as që i ka ra në mend. Tash që janë në opozitë për dy muaj, veç u kujtohen ide të ndryshme. Unë nuk jam kundër ideve, idetë janë të mira por 22 vjet duke qenë në pushtet nuk e ke menduar aspak decentralizimin që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, mos të flasim tash për rajonalizimin. Ne e kemi dhënë moti idetë për funksionimin më të mirë të shtetit në kuptim të decentralizimit fiskal dhe përsëri e kemi në program, këto tash kur janë në opozitë ju kujtohen ide që janë rëndë të realizueshme”, tha Arben Taravari.
Nga VMRO thonë se këto ide të BDI-së nuk i kanë prioritet. Deputetja Marija Miteva shtoi se BDI temat për çështjet etnike i hap vetëm kur është në opozitë.
“BDI po merret tani me këtë temë dhe me këto çështje etnike të cilat gjithnjë kanë përparësi kur ata janë në opozitë. Nuk më kujtohet se ka pasur ndonjë propozim të tillë kur ishin pjesë e Qeverisë dhe gjithçka që bënë ishte vjedhje, krim dhe korrupsion. Atëherë Ali Ahmeti nuk e kishte prioritet këtë që sot e thotë në opinion”, deklaroi Marija Miteva – VMRO DPMNE.
Ndryshe siç njoftoi TV21 më herët, BDI ka angazhuar ekspertë ndërkombëtar për gjetjen e zgjidhjes për “mosrespektimin e vullnetit të votuesve” dhe se janë duke i analizuar dy modele për rregullimin e shtetit. Ai është modeli I Belgjikës dhe i Irlandës së Veriut.