Sharll Leklerk me Ferrari është fitues i garës për Çmimin e Madh të Amerikës në Formula 1, duke korrur suksesin e tretë sezonal. Një garë e shkëlqyer e monogaskut, që mori kreun e renditjes që pas kthesës së parë e më pas e ruajti atë deri në fund.
Në vendin e dytë u klasifikua shoku i tij i skuadrës, spanjolli Karlos Sainz, që konfirmoi paraqitjen e shkëlqyer të “kokëkuqes” në pistën e Ostinit. Falë edhe një strategjie më të mirë, Ferrari arriti një fitore të dyfishtë, në një garë ku ishte e pakapshme.
Në vendin e tretë u klasifikua piloti holandez i Red Bull, Maks Verstapen, që u ngjit në podium pas penalitetit që mori britaniku i MekLarenit, Lando Norris, në xhiron e fundit. Ata ishin protagonistë të një dueli të fortë në pistë, me Norris që e parakaloi duke dalë jashtë piste. Komisarët e garës vendosën të penalizojnë me 5 sekonda Norrisin, që humbi podiumin dhe dy pikë të tjera në renditje karshi Verstapenit. Tashmë kampioni i botës ka 57 pikë avantazh në renditje ndaj britanikut, por polemikat kanë për të vijuar edhe pas garës.
Në vendin e pestë u rendit makina tjetër MekLarenit e Oskar Piastri, që la pas Xhorxh Rassellin me Mercedes. Ky bëri një garë fantastike, duke e nisur nga vendi i fundit dhe u ngjit deri në vendin e gjashtë. Në zonën e pikëve janë edhe Perez, Hulkenberg, Loson dhe Kolapinto.