Kushtet e punës, pagat e ulëta por edhe për një jetë më të mirë, janë disa ndër arsyet e ikjes së punëtorëve nga vendi. Sllovenia është destinacioni më i shpeshtë për punëtorët e vendit tonë të cilët kërkojnë punë si shofer autobusi, infermierë por edhe punë në gastronomi dhe ndërtimtari. Deri në dhjetor të këtij viti, Sllovenia ka dhënë rreth 3.600 leje punë për punëtorë nga Maqedonia e Veriut. Në vitin 2023, për 4.400 shtetasve të Maqedonisë së Veriut, u janë lëshuar ose vazhduar lejet e qëndrimit dhe punës. Ky numër është rritur për 1.000 punëtorë më shumë në krahasim me një vit më parë. Këtë e bëri të ditur sot, Anka Rode, Shefe e Departamentit të Migracionit në Shërbimin e Punësimit të Sllovenisë, e cila tha se Sllovenisë i nevojiten punëtorë në fusha të ndryshme dhe pikërisht për këtë për të treten here më radhë organizohet në Shkup, panairi i kërkimit të punëtorëve për në Slloveni.

“Seminari ishte këtu edhe vitin e kaluar dhe kanë përvojë direkt se si kanë rekrutuar këtu punëtorë dhe nga ajo që ne kemi biseduar janë të kënaqur edhe punëtorët por edhe punëdhënësit. Punëdhënësit janë një shembull i mirë i punëdhënësve të cilët ndihmojnë punëtorët në të gjitha mënyrat, duke filluar nga përshtatshmëria, dhe jo vetëm për leje qëndrim por ndihmojnë edhe për të gjetur banesë, licencat. Ne kujdesemi për rekrutim të drejtë dhe qëllimi ynë këtu është që të informojmë punëtorët për jetë dhe punë në Slloveni, jo vetëm për punësim por ne duam që punëdhënësit tonë të dinë që vijnë punëtorë dhe jo makina pune”, deklaroi Anka Rode – Shefe e Departamentit të Migracionit në Shërbimin e Punësimit të Sllovenisë. /Alsat.mk