Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, ka njoftuar për një vizitë të rëndësishme që realizoi sot, së bashku me ministrin e mbrojtjes, Vllado Misajllovski, në kazermën e Kërçovës “Çede Filipovski – Dame”. Gjatë kësaj vizite, ata u njohën nga afër me kapacitetet dhe strukturat e këtij objekti strategjik për zhvillimin dhe trajnimin e forcave të armatosura të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë rast, u shpall hapja e konkursit për pranimin e 300 ushtarëve profesional, një hap thelbësor në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe rritjen e profesionalizmit të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Konkursi ofron mundësi për rinjtë e Maqedonisë që të bashkohen me Armatën dhe të kontribuojnë në misionet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Gjithashtu, u shpall konkursi publik për pranimin e 10 nënoficerëve në Armatë dhe pranimin e 60 personave me arsim të lartë për gradën oficer.

Zëvendësministrja Ismaili theksoi se kjo nismë është një dëshmi e angazhimit të Qeverisë për të siguruar një Armatë të fortë, moderne dhe të gatshme për të përballuar çdo sfidë, duke mbështetur zhvillimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më stabile për vendin.