Skandali që ka përfshirë njeriun e afërt të Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit, kryetarin aktual të Kërçovës dhe kandidatin e BDI-së, Fatmir Dehari, ka tronditur opinionin publik. Në vend që të distancohet dhe të kërkojë përgjegjësi, BDI ka zgjedhur të bëjë atë që di më mirë – të mbrojë të pamoralshmen dhe të korruptuarën nën petkun e “dinjitetit” dhe “bashkëjetesës”.
Pas publikimit të pamjeve skandaloze në rrjete sociale, VLEN reagoi me një qëndrim të matur dhe të dinjitetshëm, duke theksuar se:
“Ky është vetëm reflektim i kulturës politike që për 20 vite ka mbytur përgjegjësinë dhe ka ngritur turpin në standard. Ne nuk gëzohemi për turpin e askujt, por kemi detyrim të themi qartë se Kërçova meriton më mirë.”
Në këtë frymë, VLEN ftoi qytetarët që më 19 tetor të flasin me një zë kundër modelit të degraduar të qeverisjes që BDI e ka kthyer në normë.
Por, në vend që të përballet me faktet dhe të kërkojë përgjegjësi morale, BDI reagoi me një deklaratë zyrtare që në fakt është një mburojë e hapur për amoralitetin dhe korrupsionin.
Në reagimin e saj, kjo parti përpiqet ta relativizojë skandalin, ta paraqesë si “skenar të shërbimeve të errëta” dhe ta kthejë gjithë debatin në një çështje etnike, duke harruar se në thelb kemi të bëjmë me degradim moral dhe institucional.
Ky qëndrim nuk është asgjë tjetër përveç vazhdim i logjikës së BDI-së për të mbrojtur çdo turp politik, për sa kohë ai lidhet me njerëz të afërt me kupolën e partisë.
Në vend që të flasin për përgjegjësi, flasin për “laboratorë” dhe “propaganda të fabrikuara”. Në vend që të kërkojnë transparencë, fshihen pas patriotizmit të rremë dhe viktimizimit etnik, një skenar i njohur që për dy dekada ka shërbyer si mburojë për korrupsionin dhe imoralitetin politik.
Por qytetarët e Kërçovës nuk mashtrohen më. Ata e dinë mirë se çfarë po ndodh. Ata e dinë kush janë ata që kanë ngritur turpin në standard dhe kush po përpiqet ta mbulojë me flamur partinë e turpit dhe moralit të rënë.
Më 19 tetor, Kërçova do të flasë qartë, kundër amoralitetit politik dhe korrupsionit që BDI po e mbron edhe zyrtarisht.