VLEN po dëshmon se çështjet e shqiptarëve nuk zgjidhen me deklarata boshe e as me improvizime politike, por me punë konkrete institucionale dhe me zgjidhje të plota e të qëndrueshme.
Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.
Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Për dallim nga pushteti i kaluar, i cili për më shumë se dy dekada e mbajti të pazgjidhur këtë çështje dhe e përdori vetëm për propagandë politike, VLEN po vepron me përgjegjësi dhe seriozitet institucional për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në praktikë.
VLEN beson se arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore janë themel i një shteti modern dhe të drejtë. Prandaj, zgjidhjet nuk do të jenë gjysmake, por të plota, të zbatueshme dhe afatgjata, në interes të studentëve dhe të gjithë qytetarëve.

