Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka njoftuar për hyrjen në fuqi të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, i njohur si “One Stop Shop”, përcjell tetova1
Kasami, përmes një postimi, bëri të ditur se sistemi do të zbatohet në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe në katër vendkalime të tjera kufitare, ku qytetarët e të dy vendeve do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli.
Sipas tij, kjo masë synon të shkurtojë kohën e pritjes në kufi dhe të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve mes dy shteteve.
Kasami theksoi se afrimi me Shqipërinë dhe Kosovën ishte një nga përcaktimet e VLEN-it, duke përmendur edhe projektet infrastrukturore dhe dy autostradat strategjike.
Postimi i plotë:
“Më pak kontrolle, më pak pritje, më shumë besim te njëri-tjetri!
Në këtë ditë feste, bashkë me kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut z. Hristijan Mickoski, promovuam hyrjen në fuqi të sistemit hyrje-hyrje mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në Qafë Thanë dhe në 4 vendkalime tjera kufitare, qytetarët e dy vendeve do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli. Shkurtojmë pritjet, lehtësojmë lidhjen mes dy shteteve tona dhe afrohemi me njëri-tjetrin si asnjëherë më parë.
Ky ishte përcaktimi ynë si VLEN, që me Shqipërinë e Kosovën të afrohemi jo vetëm deklarativisht, por edhe me masa konkrete si One Stop Shop dhe me projekte infrastrukturore si dy autostradat strategjike që po i ndërtojmë.
Gëzuar Festat e Nëntorit!”, ka shkruar Kasami./tetova1.mk

