8 C
Tetovo
E diel, 22 Nëntor, 2026
BallinaLajmeMaqedoniMexhiti kujton betejën për bustin e Skënderbeut: Sot kufiri kalohet me vetëm...

Mexhiti kujton betejën për bustin e Skënderbeut: Sot kufiri kalohet me vetëm një kontroll

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka rikthyer një kujtim nga para 20 vjetësh, kur në pikën kufitare të Qafë Thanës ishte angazhuar për sjelljen e bustit të Skënderbeut në Shkup. Sot, në të njëjtin vend, ai mori pjesë në përurimin e sistemit të përbashkët të kontrolleve kufitare „One Stop Shop“ mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Mexhiti, së bashku me kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, si dhe bashkëkryetarin e VLEN-it, Bilall Kasami, mori pjesë në këtë aktivitet, përmes të cilit synohet lehtësimi i qarkullimit të qytetarëve në kufirin mes dy shteteve.

Ai kujtoi se para dy dekadash autoritetet nuk kishin dhënë leje për hyrjen e bustit të Skënderbeut në vend, ndaj ishte dashur këmbëngulje për ta sjellë atë përmes Qafë Thanës dhe për ta vendosur në sheshin e Shkupit që sot mban emrin e heroit kombëtar.

Sipas Mexhitit, rikthimi në këtë pikë kufitare, njëzet vjet më vonë, ka domethënie të veçantë, pasi nga një vend ku dikur përballeshin me pengesa për vendosjen e bustit të Skënderbeut, sot po zbatohet një marrëveshje që lehtëson lëvizjen e qytetarëve.

„Atëherë na duhej të përballeshim me pengesa edhe për ta vendosur një figurë të historisë sonë në një shesh të Shkupit. Sot ulemi në të njëjtën tryezë, marrim vendime të përbashkëta dhe i zbatojmë në paqe, dhe me respekt për të drejtat e secilit“, ka theksuar Mexhiti.

Sistemi „One Stop Shop“ nis zbatimin në Qafë Thanë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe katër vendkalime të tjera kufitare: Bllatë, Gorica, Tushemishti dhe Xhepisht–Trebishti. Përmes këtij modeli, kontrollet për qytetarët do të kryhen në një pikë të përbashkët, duke eliminuar ndalesat e dyfishta dhe duke shkurtuar kohën e pritjes.

Mexhiti theksoi se pas zbatimit të këtij modeli me Kosovën, me VLEN-in në qeverisje, i njëjti mekanizëm po shtrihet edhe në bashkëpunimin me Shqipërinë.

Ai vlerësoi edhe simbolikën e përurimit më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e cilësuar lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve si një mënyrë konkrete për ta shënuar këtë festë.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments