Në periudhën derisa ishte në opozitë, por edhe gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve lokale paralajmëronte uljen e harxhimeve dhe kthimin e parave te qytetarët, por me prezantimin e buxhetit për vitin 2018, ministri i financave, Dragan Tevdovski parashikon buxhet më të madh dhe rritje të akcizave të naftës.

Akcizat për karburantët dizel do të rriten për 3 denarë, gjegjësisht 3.54 denarë me TVSH të përfshirë, që sipas ministrit Tevdovski dhe këshilltarit në Ministrinë e financave, Branimir Jovanovski do të sjellë më shumë të ardhura për financim të harxhimeve të reja.

Me rritjen e akcizave për dizelin priten 30 milionë euro shtesë në bazë vjetore në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë.

Kjo rritje, e ndjekur me vendosjen e tatimit të shkallëzuar nga viti i ardhshëm do të jetë goditje në xhepin e qytetarëve dhe në të kundërtën e premtimeve, në vend se paratë të mbeten te qytetarët, ato do të ridrejtohen në buxhetin shtetëror.

LSDM në të kaluarën shpesh e kritikonte qeverinë e OBRM-PDUKM-së për harxhime joproduktive, por buxheti i paralajmëruar për vitin 2018 është më i larti deri më tani.

Në vitin 2012, LSDM-ja opozitare kërkonte nga Qeveria e OBRM-PDUKM-së ulje të akcizave për karburantët për 50 për qind.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, kryeministri Zoran Zaev tha se LSDM-ja do të mbajë mësim të ekonomisë dhe se do të vazhdojë me konceptin për më shumë para te qytetarët.

“Nëse i ulim harxhimet dhe fakturat, nëse sigurojmë të ardhura shtesë për qytetarët, atëherë ata do të kenë më shumë para dhe atëherë do të jetë Maqedonia”, tha Zaev në një tubim në Veles.

Ai poashtu gjatë fushatës disa herë përsëriti se Maqedonia ka financa të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e të gjithëve.