Dje  ka skaduar afati për dorëzimin e kandidaturave që do të garojnë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor.  Garë te ashpër në këto zgjedhje pritet të kemi në Tetovë, Strugë, Gostivar dhe disa komuna tjera. 


Partia më e madhe shqiptare BDI dje edhe zyrtarisht ka oficijalizuar gjitha kandidaturat për zgjedhjet lokale të tetorit. Por sipas shumë anketave që janë zhvilluar ditëve të fundit, kandidatura e BDI-së në Strugë me ish deputetin dhe ish kryetarin e kësaj komune, Ramiz Merko le për të dëshiruar, shkruan Zhurnal. 

Kujtojmë se ndaj ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Komunës së Strugës, Merko kohë më parë Prokuroria Publike ngriti padi për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare.  Në fakt Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ana e Drejtorisë së Policisë Financiare pranoi 5 padi penale ndaj pesë ish kryetarëve të komunave, mes të cilëve është edhe ai i Strugës, të cilët dyshohen për veprën e bërë- “Keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, ndarje e kontratës për furnizim publik ose partneritet publik – privat” që dënohen me Kodin Penal.

Merko, njëherit edhe kryetar i degës së BDI-së në Strugë, nga anëtarët e BDI-së në këtë Komunë Ramiz Merko cilësohet si fajtori kryesor që BDI ka humbur bastionin në Komunën e Strugës, e sidomos për humbjen në zgjedhjet lokale të vitit 2013 nga kandidati i atëhershëm i PDSH-së, Ziadin Sela. 

Kryetari Merko ka qenë i kundërshtuar edhe nga anëtarët e degës së BDI-së, gjegjësisht në vitin 2015 reagim të ashpër kundër Merkos ka pasur edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Strugë, Fitni Dalipi, i cili veç tjerash ka cilësuar sjelljen e kryetarit të degës dhe deputetit e BDI-së, Ramiz Merko, si një “Kapo”, të qytetit. 

“Kryetari, edhe pse për së treti herë rizgjidhet në këtë post akoma vazhdon me avazin e vjetër te sillet si “Kapo”, të mos respektoj as anëtarët e kryesisë, as kryetarët e Këshillave Vendore e as këshilltarët e BDI-së. Kjo sjellje e tij të lë përshtypjen që ai nuk konsultohet as edhe me Kryesin Qendrore, sidomos kjo duket qartë me ndërrimet e ditëve të fundit në Strugë, ku në vend që ai të merret me ndërrimin e kuadrove maqedonase me ato shqiptare në ato institucione ku u takojnë shqiptarëve siç janë: Ministria rajonale e drejtësisë, Shtëpia e kulturës, Muzeu i Strugës, Ministri rajonale e Bujqësisë, Pyjeve dhe Ujërave –njësia rajonale Strugë, madje edhe z. Drejtor në ELEM –Strugë. Kryetari i degës që është edhe deputet i zonës, asnjëherë nuk i ka vizituar këto institucione për të parë gjendjen e të punësuarve shqiptar. Këtë e di shumë mirë pasi që në shtatorin e vitit te kaluar i kam kaluar gati të gjithë këto institucione dhe kam biseduar edhe me drejtuesit e tyre edhe me të punësuarit shqiptar të cilët shprehën pakënaqësinë nga mos interesimi i deputetit të zonës”, pati thënë Fitni Dalipi permes reagimit dërguar mediave.

Struga më herët është njohur si perlë e turizmit në Maqedoni dhe si një ndër qytetet më të mira në ish-Jugosllavi. Për këtë është përdorur edhe fraza ”Si Struga tjetër nuk ka” që edhe vet tregon se ka qenë e pa konkurrencë për ka bukuria! Por çfarë po ndodh tani në Strugë, që është kapluar nga deponitë e egra që po “mbysin” qytetarët e kësaj komune ku po mbizotërojnë erërat e këqija, gjë që mund të shkaktojnë edhe helmimin e qytetarëve. Ramiz Merko edhe pse tani është Ministër në Qeverinë e Zaevit, ai ende nuk ka ndërmarrur asgjë konkrete për të pastruar deponinë e egër në Strugë, ku këtë vit turizmi ishte nën nivel në këtë Komunë si asnjëherë më parë. 

Afaristët ankohen për ulje të numrit të rezervimeve kurse qytetarët ankohen për humbjen e gjallërisë së qytetit. Struganët e kanë nisur betejën e tyre për të kërkuar pastrimin e deponisë së egër që helmon të ardhmen e qytetarëve dhe perspektivën e qytetit. Është formuar një grup jo formal të quajtur ”Struganët për Strugën” që numëron tashmë dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile që veçse e kanë nisur betejën për qytet të pastër.  Se si Merko me gjithë këto dështime dëshiron të kërkoj besimin e struganëve, vetëm ai e di?  Merko humbi në vitin 2013 në Strugë edhe atë bindshëm nga Ziadin Sela, por tani me gjithë këto probleme të pazgjidhura edhe pse është pjesë përbërëse e kabinetit të ri qeveritar, Merko do ta ketë edhe më të vështirë për të fituar besimin e qytetarëve, dhe sipas shumë anketave që janë realizuar deri më tani, BDI është gati se e pamundur ta fitoj Strugën me Ramiz Merkon. 

Agjencia e Lajmeve Zhurnal ditë më parë ka realizuar një anketë me qytetarët e Strugës lidhur me atë se çfarë mendojnë për kandidatin e BDI-së Ramiz Merko, dhe të njejtën anketë do ta shpalosë ditëve në vijim. 

Ndryshe, vlenë të theksohet edhe projekti i dështuar për Pallmet e mbjellura në Strugë, ku të njejtat u thanë dhe u shkulen para ca kohe. Se çfar fshihet prapa këtij “projekti” askush saktë nuk mund të përgjigjet, por flitet se ky projekt ishte  pjesë e marrëveshjes ndërmjet ish shefit të kabinetit të kryeministrit Nikolla Gruevski, Martin Protogjer dhe ish kryetarit të komunës së Strugës Ramiz Merko, marrëveshje që asnjëherë nuk është bërë publike se çka përmban kjo marrëveshje. Kur kësaj ti shtohet se asnjë shërbim inspektorati komunal i asaj periudhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, përkundër statusit të lokacionit, atëherë pohimet për marrëveshje të fshehtë marrin konotacion edhe më të fortë.  

Në qytetin e Strugës në muajin korrik filloi grumbullimi i palmave të thara “qeveritare” që nuk arritën t’u bëjnë ballë kushteve të motit. 90% prej tyre janë tharë ndërsa pjesa e mbetur edhe më tej lufton për mbijetesë, edhe pse ekspertët që moti paralajmëruan që të ndërrohen me pemë vendore. Në Strugë u mbollën rreth 100 palma në lokalitete të ndryshme.

Ndërsa qytetarët konsiderojnë se këto para për Pallmet janë harxhuar kot.

“Nuk janë të përshtatshme, nuk ka klimë këtu. Vendi nuk është i përshtatshëm, të gjitha janë tharë. Kuptohet se janë para të hedhura kot që dikush ta mbush xhepin”

“Dihet çfarë vendi kemi. Është e saktë se kushtojnë, por ndoshta më vonë mund të realizohet kjo”, shprehen qytetarët.

Gjithë këto janë sinjale që Merkon e pret një rezultat katastrofal në zgjedhjet lokale në Strugë, e sidomos kur kundërkandidat e ka Ziadin Selën e ASH-së. Burime të Agjencisë së lajmeve Zhurnal nga Struga theksojnë se Merko tashmë gjendet në panikë pas kandidimit të Selës nga frika se mund të humbë garën për kreun e komunës,  frika ekziston nga fakti se Sela pas ngjarjeve të 27 prillit fitoi një përkrahje jashtëzakonisht të madhe në popullatë. 

Kohë më parë nga Komuna e Strugës për Zhurnal patën theksuar se Ziadin Sela ka sjellur një frymë të re në drejtimin e komunës, përderisa sipas tyre Merko ka vrarë frymën qytetare të Strugës. 

“Sela ka sjell një frymë të re në drejtimin e komunës dhe dallon shumë udhëheqësia e tij nga ajo e Ramiz Merkos. Përderisa Merko e vrau frymën e qytetare të Strugës, ishte pikërishtë Sela ai që solli një frymë të re. Janë qindra projekte të realizuara dhe vendosje e një standarti të ri të punës ku respektohen parimet dhe rregullat”, thonë nga Komuna e Strugës për Zhurnal.mk

Agjencia e Lajmeve Zhurnal gjithashtu në ueb faqen e Komisionit për Antikorrupsion ka hulumtuar pasurin që ka paraqitur Ramiz Merko si prone të tij, me çka si përfundim është se Merko ka një pasurri marramendëse bazuar në standartet që jetojnë qytetarët e thjeshtë në Maqedoni. 

Zyrtarisht, Ramiz Merko ka pasuri prej: 52.862.006 denarë apo në kundërvlerë me euro: 859.544 euro. Duke e krahasuar pasurinë e Merkos me të kryetarit të tij, duket se Ramiz Merko është 7.7 herë më i pasur se Ali Ahmeti.

Më poshtë, Zhurnal ju sjell në detaje pasurinë e ish-kryetari i Komunës së Strugës nga radhët e BDI-së, Ramiz Merko.

-Vend afarist me hapsirë prej 1200 metër katrorë të cilin e ka ndërtuar në vitin 2007 që kap vlerën prej 17.164.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 279.089 euro.
-Shtëpi prej 400 metër katrorë në Strugë të cilën Merko e ka fituar si trashigimi dhe kushton 12.260.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 199.349 euro.
-Tokë bujqësore prej 2020 metër katrorë të cilën Merko e ka fituar me trashigimi. Kjo shtëpi ka vlerën prej 2.452.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 39.869 euro.
-Tokë bujqësore prej 2460 metër katrorë të cilën Merko e ka blerë. Kjo shtëpi kap vlerën prej 3.000.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 48.870 euro.
-Zabel prej 3000 metër katrorë në Strugë që kap vlerën prej 736.600 denarë apo 11.977 euro. Këtë pasuri Merko e ka nga trashigimia.
-Banesë në Durrës prej 106 metër katrorë që kap vlerën prej 2.060.250 denarë apo në kundërvlerë prej 33.500 euro. Këtë pasuri Merko e ka fituar me një kontratë për shit-blerje.
-Banesë me garazhë prej 52 metër katrorë në Shkup që ka vlerë 3.690.000 denarë në kundërvlerë me euro: 60.000 euro. Këtë pasuri Merko e ka paraqitur si pasuri e fëmijëve, e blerë me kontratë për shit-blerje.
-Veturë Mercedes 200 e vitit 1992 që kushton 100.000 denarë apo në kundërvlerë me euro: 1.626 euro. Këtë pasuri Merko e ka nga kontrata për shit-blerje.
-Veturë Jeep Toyota R-4 e vitit 2006 e blerë në vitin 2008 e paraqitur se kushton 400.000 denarë apo me kundërvlerë me euro: 6.504 euro. Merko e ka paraqitur si pasuri e fëmijëve, e blerë me kontratë për shit-blerje.
-Veturë Golf 5 e vitit 2005 e blerë në vitin 2012 që kushton 300.000 denarë apo në kundërvlerë prej 4.878 euro. Merko e ka paraqitur si pasuri e fëmijëve, e blerë me kontratë për shit-blerje.