“Thash se nuk kishte marrëveshje, por tentoja ta arrijmë këtë”, tha Nikolla Todorov – dëshmitar.

Ish-ministri dhe zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së Nikolla Todorov, nuk zbuloi më shumë detaje rreth koalicionit të gjerë, për të cilin është negociuar, por që ka rënë në ujë për shkak të ngjarjeve të 27 prillit.

“Me mua para 27 prillit dhe më 27 prill nuk është biseduar për një koalicion të gjerë. Ndoshta kanë biseduar me dikë tjetër”, tha për TV21, Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Edhe Spasovski mohon të ketë zhvilluar bisedime me Todorovin për një koalicioni të gjerë mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.

“Unë kurrë nuk kam biseduar me dikë nga VMRO-DPMNE për ndonjë koalicion të gjerë”, u shpreh Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

E pyetëm edhe VMRO-DPMNE-në, por nuk morëm përgjigje.

Dje në sallën gjyqësore, në cilësinë e dëshmitarit, ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, tha se hyrja në Kuvend i ka prishur të gjitha planet për koalicionin e gjerë.

“Këtë e them për herë të parë. Kishim bisedime për koalicion të gjerë, prandaj atë ditë isha shumë nervoz dhe i shqetësuar. Ishim në rrugë të mirë për koalicionin e gjerë, i cili duhej ta vendoste vendin në shtegun e duhur për anëtarësim në BE dhe NATO”, dëshmoi Nikolla Todorov.

Në seancën gjyqësore për ngjarjet e 27 prillit, Nikolla Todorov deklaroi se ai ka kryer disa funksione partiake dhe se në atë periudhë ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, por edhe deputet dhe ministër i Shëndetësisë. Ai shtoi se partia e tij nuk ka dalë me qëndrim zyrtar në lidhje me protestat.https://youtu.be/BCG-jwiPjck