Sot Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka hequr reciprocitetin e vënë ndaj Serbisë nga Qeveria Kurti.

Por, kundër këtij vendimi në mbledhje votuan përfaqësuesit e AAK-së, njofton Klan Kosova.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, ministri i Arsimit, Ramë Likaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi nuk e dhanë votën për heqjen e reciprocitetit.

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, qeveria e të cilit në nëntor të vitit 2018 e vendosi tarifën 100% për mallrat e Serbisë, e kishte kritikuar ashpër ish-kryeministrin Albin Kurti për heqjen e tarifës për lëndën e parë që vjen nga Serbia, por i kishte ofruar mbështetje nëse atë do ta përdorte për ta marrë njohjen finale nga Serbia. Ndërsa, për reciprocitet kishte thënë se të njëjtën e kishte bërë edhe ai ndaj Serbisë.