Zv.kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi sot realizoi takim me grup gazetarësh nga disa vende anëtare të BE-së në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane. Ademi i njoftoi gazetarët me procesin e përgjithshëm të aderimit të Maqedonisë, por iu referua edhe marrëdhënieve të vendit me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Maqedonia filloi procesin euro-integrues para më shumë se 20 viteve e cila rezultoi me ndryshime të thella në sistemin politik dhe mjedisin ekonomik.

Ai gjithashtu theksoi se Maqedonia është vend kandidat tani më 13 vite, me 8 rekomandime të njëpasnjëshme nga ana e Komisionit Evropian deri tek Këshilli i BE-së për fillimin e bisedimeve për aderim.

“Që nga pavarësia Maqedonia është përkushtuar në përcaktimin strategjik për integrimin euro-atlantik. Mbështetje nga më shumë se 70% e popullsisë, për ne politikanët paraqet detyrim të vazhdojmë me përkushtim të punojmë për rrugën tonë drejt BE-së” theksoi Ademi.

Ai gjithashtu iu referua edhe gjendjes aktuale politike në vend duke theksuar se pavarësisht nga turbulencat politike vendi ende meriton nisjen e bisedimeve për aderim me qëllim që të mbaj fokusin dhe të sigurohet progresi i mëtutjeshëm i reformave në fushat kyçe.