Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi nuk pret që Qeveria sot në mbledhjen e rregullt të vendosë për kërkesat e SASHK-ut për pagat në arsim.

“Jemi në proces të negociatave mes MASH, Qeverisë dhe SASHK dhe jemi në drejtim të mirë. Sot kemi mbledhje të rregullt në Qeveri dhe nuk pritet që sot të vendosim për këtë çështje. Do të duhej ditëve të ardhshme. Mund të vërtetoj se jemi në drejtim të mirë për rritje historike të pagave në arsim”, tha Ademi.

Ademi theksoi se deri tani nuk ka ndonjë paralajmërim për takim të ri me përfaqësuesit e SASHK.

“Jemi të përqendruar në përmirësimin e statusit social dhe material të të punësuarve në arsim. Jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe duhet që ky komunikim të vazhdojë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, tha Ademi.

Ndryshe, në takimin e fundit të premten, ministri Ademi dhe kreu i SASHK, Jakim Nelekov deklaruan se ka përafrime të qëndrimeve por jo edhe marrëveshje përfundimtare.

Qeveria ofron rritje 10% të pagave në muajin prill të vitit të ardhshëm por SASHK kërkon që kjo rritje të fillojë më 1 janar dhe përqindja të jetë më e madhe se 10%.