Ministri në detyrë i Arsimit, Arbër Ademi vlerëson se viti i ri shkollor duhet të fillojë me praninë fizike të nxënësve nëpër shkolla, në varësi të gjendjes epidemiologjike në vend.

Ai në një deklaratë për Alsat-M theksoi se modelet e përpiluara tashmë nga Ministria e Arsimit do të shqyrtohen edhe një herë në takimin e radhës të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.

“Nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston ambicie që nëpërmjet mësimit online të zëvendësojmë mënyrën tradicionale të realizimit të procesit arsimor për arsye se një gjë e tillë është e paarritshme”, theksoi Ademi.

Plani i Ministrisë së Arsimit për realizimin e procesit mësimor në kushte pandemie përmban tre modele: Organizimi i mësimdhënies me prani fizike të nxënësve, Të mësuarit në distancë dhe Koncept i kombinuar i realizimit të mësimdhënies.