U anulua edhe për disa javë të tjera seancë gjyqësore ku lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe bashkëpartiaku i tij Musa Xhaferi e padisin ish drejtorin e shërbimit sekret, Sllobodan Bogoevski, për shpifje. Edhe pse ish-drejtorët e Magjar Telekom”, Elek Shtraub dhe Andrash Balog para një gjykate amerikane, pranuan se ju kanë dhënë ryshfet disa politikanëve në Maqedoni, Ahmeti dhe Xhaferi nuk e tërheqin padinë kundër Bogoevskit i cili dëshmoi për nevojat e gjykatës së Nju Jorkut për rastin “Magjar Telekom” për dhënie ryshfet politikanëve të Maqedonisë. Në padinë për shpifje dyshja e BDI-së nga Bogoevski kërkojnë 5.5 milionë denarë dëmshpërblim. Sot në sallën e gjyqit nuk pranoi të dëshmojë avokatja Biljana Panova, e cila ishte e autorizuar nga Komisioni amerikan për letra me vlerë që ta marrë deklaratën nga Bogoevski që përdoret para gjykatës së Nju Jorkut për rastin Magjar Telekom”. Sqarimi ishte se Panova si një avokate ka obligim ligjor t’i mbajë sekret të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast.

Edhe në seancën e sotme u pa se dhunimi politik i gjyqësorit vazhdon edhe më tej. Dëshmia e sotme e dëshmitarit tregon se deklarata e Sllobodan Bogoevski është dhënë përpara gjykatës së qarkut në Nju Jork. Njëkohësisht kryhet presion mbi dëshmitarët të cilët janë me urdhër për mbrojtje dhe janë të detyruar ta ruajnë fshehtësinë e procedurës së tërë, që megjithatë të thonë diçka – deklaroi Valentin Zafirov, avokat i Sllobodan Bogoevskit.