Gazetar: Emir Hamzai

Çështja e ajrit të ndotur në Maqedoni, e në veçаnti në rajonin e Pollogut vazhdon me avazin e vjetër. Edhe pse pas shumë protestave nga tetovarët për mbylljen e ‘Jugohromit’, gjë që rezultoi me sukses, si një ndër shkaktarët e ndotjes së ajrit, qytetarët përsëri janë të shqetësuar për cilësinë e keqe të ajrit.

Stacionet matëse të ministrisë së Ambientit Jetësor gjatë ditës së sotme kanë regjistruar nivel alarmant të ndotjes së ajrit. Gjendje më e rëndë paraqitet në Tetovë, Kumanovë, Qendër, Karposh, Gazi Babë, Manastir dhe Veles ku koncentrimi i grimcave PM10 dhe PM 2,5 është disa herë më lartë nga norma e lejuar.

Me mbylljen e ‘Jugohromit’ tetovarët kanë thithur ajër deri 60% më të pastër dhe pa atë 30 tonshin e pluhurit famëkeq që e kishim në ajër çdo ditë, por sigurisht që kjo nuk mjafton që të kemi ajër të pastër brenda standardeve të kërkuara, kështu thekson nga EcoGuerilla për ‘Fol’, Arianit Xhaferi.

”Sezoni i ngrohjes gjatë dimrit e rëndon poashtu situatën sepse rreth 90% e amvisërive përdorin drurin si lëndë djegëse për ngrohje, por ka dhe disa familje të cilat janë më të sfiduara në aspektin ekonomik që përdorin edhe qymyr, goma, vajra të ndryshme të cilat sigurisht që janë ndotës edhe më të mëdhenj.

Rrugët e Tetovës vazhdojnë të frekuentohen nga mijëra vetura çdo ditë, dhe të njëjtat e shohin ujin vetëm kur bie shi sepse nuk lahen e nuk pastrohen asnjëherë nga shërbimet komunale, përpos në kohë fushate. I gjithë pluhuri që shtresohet në rrugë, i ndihmon përkeqësimit të situatës me ndotjen e ajrit. Sigurisht që ato mijëra vetura poashtu ndotin sepse pjesë e madhe e tyre nuk plotësojnë standardet ekologjike, dhe Tetova vazhdon të vuajë mungesën e transportit publik, edhe në shekullin 21.

Tjetër problem shumë serioz që sjell përkeqësimin e situatës janë industri më të vogla që bien nën kompetencat e Komunës së Tetovës të cilat poashtu përdorin lëndë djegëse të dyshimta për ngrohje, dhe të njëjtat nuk po vihen nën kontrollin e autoriteteve apo nën inspektim të rreptë nga autoriteti ekologjik i Komunës apo i Qeverisë. Ne kemi raportuar shumë herë disa fabrika për prodhimin e mobiljeve, por të njëjtat kanë vazhduar të ndotin edhe pas raportimit, që na bën të kuptojmë se inspektorati ekologjik komunal nuk e ka bërë punën, nuk i ka gjobitur, nuk ua ka ndaluar ndotjen. Zbutja e këtij problemi serioz kërkon masa serioze, të cilat për fat të keq në Tetovë po mungojnë, sepse duket qartë që mungon dhe vullneti i autoriteteve për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve”, deklarohet Xhaferi.

Të pytur disa qytetarë në lidhje me ajrin e ndotur, thonë se krahas makinave, në ndotjen e ajrit në masë të madhe ndikojnë edhe industritë, të cilat funksionojnë pa asnjë kriter dhe filtra.

”Ajri në Tetovë është shumë i ndotur. Në kohën e fushatës zgjedhore, të gjithë kandidatët premtuan se do të punojnë në përmirësimin e ajrit, por ende asnjë reagim. Tetova momentalisht është në gjendje katastrofale, 50% e bëjnë veturat e vjetra, shtëpitë që ngrohen me qymyr, deponitë. Dëshiroj që qeveria të merr masa dhe të mos lejojë regjistrimin e veturave që nuk përmbushin standardet ekologjike”, thotë qytetari Bekim Bajrami.

Elmedina Abdullahi nga shoqata ‘Nëna dhe fëmija’ thotë se ajri vërtetë vazhdon të jetë i ndotur, por përgjegjësinë e kërkon nga autoritetet komunale, në mënyrë që inspektoriati të mos jetë selektiv dhe të vijojë me sanksionet nëse ndonjë industri e ndot ambientin.

”Po fakt është që ajri është për 60% më pak i ndotur se vitet e kaluarа, por gjithashtu është fakt që ende kemi ajër të ndotur. Jemi të shqetësuar, kuptohet edhe kësaj radhe përgjegjësinë e kërkojmë të autoritet komunale. Të gjithë e dimë që në Pollog ka edhe industri të vogla që janë ndotës serioz.

Nga komuna urgjentisht kërkojmë që inspektoriati të jetë aktiv, por jo në mënyrë selektive. Poashtu kërkojmë transparencë gjatë procedurave të inspektimit dhe eventualisht dënime të të njëjtave. Transporti publik ose numri i madh i veturave të regjistruara pa standarde ekologjike gjithashtu ndikon në rritjen e ndotjes”, shton Abdullahi.

Portali ‘Fol’ disa ditë ka kontaktuar Institutin për Shëndet Publik (ISHP) për të marrë informacione nëse numri numri i të sëmurëve apo krahasimi me vitin e kaluar qëndron më i madh apo është zvogëluar, por një gjë të tillë ajo nuk ishte në dispozicion të deklarohet. /Fol/