Një aksion kontrolli në katër objekte hotelerike është bërë nga forcat policore, vikendin e kaluar në Gostivar në rrugët “Zhivko Brajkovski” dhe “Beliçica”. Pas kontrollit të realizuar në orët e vona të natës, në këto objekte në të cilët qëndrojnë një numër i madh i të rinjve nga Gostivari nuk janë zbuluar kundërvajtja të prishjes së rendit dhe qetësisë publike muzikë me zë të lartë dhe të ngjashme, gjithashtu nuk janë hasur adoleshentë pas orës 12 të natës dhe as lëndë narkotike. Kontrolle dhe aktivitete të kësaj natyre janë planifikuar që të realizohen edhe në periudhën e ardhshme, në funksion të zbulimit të kundërvajtjeve që kanë të bëjnë me prishjen e rendit dhe qetësisë publike, por edhe kundërvajtje të tjera të cilat me ligj do të sanksionohen. Drejtimi i veturave, kamionëve, dhe motoçikletave pa leje për vozitje edhe përkundër aktiviteteve dhe kontrolleve të shumta preventive të cilat në vazhdimësi i ndërmerr Sektori për punë të brendshme në Tetovë ende vazhdon. Vetëm të dielën në Tetovë dhe rrethinën janë zbuluar 6 persona pa leje për vozitje dhe një që ka drejtuar një automjet pa regjistrim.