Në konferencën e sotme për shtyp në Tetovë, Aleanca për Shqiptarët shfaqën revoltë si dhe shqetësimin, siç thanë, për diskriminimin e vazhdueshëm që po bëhet ndaj shqiptarëve, në çdo fushë, më konkretisht në fushën e artit edhe atë në krijimtarinë filmike.

Sipas tyre, padrejtësia në këtë segment vazhdon, ndërsa problemi është se ai po thellohet.

“Argument për këtë janë tre konkurset e fundit të Agjencionit të filmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dy konkurset e vitit 2020 dhe ky i këtij viti. Agjencioni i filmit, për produksionet shqiptare ka ndarë 16 për qind mjete nga buxheti i përgjithshëm. Me konkursin e dytë padrejtësia thellohet edhe më tepër, shkon në 10 për qind ndarja e mjeteve për produksionet shqiptare. Ky konkurs, rezultatet e të cilit u shpallën ditë më parë, vazhdon t’i diskriminojë filmbërësit shqiptarë, me këtë edhe të gjithë shqiptarët në RMV”, theksoi në konferencën për shtyp Muzafer Etemi nga dega e Tetovës së Aleancës për Shqiptarët.

Ai konsideron se agjencia e cekur i shkel rregullat e saj kur bëhet fjalë për mjetet financiare.

“Ky Agjencion bie në kundërshtim me vetvete, shkel rregullat që i ka vendosur vet. Nuk përkrah profesionistët! Ato pak mjete që ndan, ua ndan joprofesionistëve, gjë që e komplikon situatën, sepse në këtë rast dihet rezultati: projekte sa për sy e faqe dhe metoda vazhdon: ja, ne u japim para, por ata nuk dinë! Sa për njohuri, qytetarët duhet ta dinë që drejtorin e Agjencionit të Filmit asnjë pikë nuk e takon me veprimtarinë filmike-absurde!!! Shtrohet pyetja: Përse janë lartë “përfaqësuesit” politik shqiptarë? Cila është detyra e tyre? Të dashur qytetarë, ata mashtrohen dhe mbushin xhepat, ndërkaq na mashtrojnë, na i zbrazin xhepat dhe na turpërojnë! Aleanca për Shqiptarët nuk do ta lejojë këtë nëpërkëmbje, bashkë me qytetarin do t’i japë fund dinastisë mashtruese”, theksoi Etemi në fund të konferencës për shtyp.